Një nga protagonistët e Dinamos në fushë për këtë sezon është pa dyshim Peter Itodo Mandela. Nigeriani 21-vjeçar ka shënuar 7 gola deri tani, duke i dhënë pikë të rëndësishme skuadrës.
Mban vendin e dytë në listën e golashënuesve më të mirë, 1 gol pas Bekim Balajt, por ndryshe nga shkodrani, sulmuesi i bluve nuk ka gjuajtur asnjë penallti. Mandela është shprehur në një intervistë për “Panorama Sport” se Dinamo ka treshen sulmuese më të mirë të kampionatit. Ai pranon se e mendon vazhdimisht trofeun e “Këpucës së Artë”, por më shumë kërkon suksesin e skuadrës. Nigeriani shpreh bindjen se objektiv nuk është thjesht pjesëmarrja në “Final 4”, por diçka më shumë, fitimi i një trofeu, sepse Dinamo e meriton me skuadrën që ka. Për sfidën me Teutën pret rikthimin te fitorja.
Mandela, fillimisht një mendim për ndeshjet e fundit me Partizanin dhe Skënderbeun. Keni ndonjë “peng”, a mund të merrnit më shumë se një pikë?
Kundër Partizanit nuk ishte një ndeshje e lehtë për mua. U përpoqa të lirohesha nga mbrojtësit, por ata vazhdimisht më rrethonin dhe në çdo moment që kisha topin, ishin 3 lojtarë kundërshtarë që donin të më ndalonin. Nuk ishte e lehtë kundër tyre. Për ndeshjen tjetër me Skënderbeun besoj se duhej të kishim fituar, sepse u pa që Dinamo luajti më mirë se ata. Por futbolli kështu është, i ka të tre rezultatet për një ndeshje dhe nuk mund ta parashikosh asnjëherë.
Çfarë mund të bëjë Dinamo këtë sezon, me aq sa keni parë deri tani. A ka mundësi reale për titullin kampion?
Mundësitë janë. Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar te maksimalja. Qëllimi ynë për këtë sezon nuk është vetëm të shkojmë në “Final 4”, por edhe të fitojmë trofe. Kemi vërtet një skuadër me kualitet, që mund të arrijë diçka këtë sezon.