Tashmë duket se kemi mbërritur në përfun dim të telenovelës për të ardhmen e Kristiano Ronaldos. Sipas gazetës spanjolle “As”, tani nuk ka mbetur më asnjë dyshim: CR7-ta do të luajë për skuadrën saudite të Al Nasr.

Burime pranë klubit arab bënë me dije se është mbyllur gjithçka dhe marrëveshja është finalizuar pas një takimi mes enturazhit të sulmuesit 37- vjeçar dhe drejtuesve të Al Nasr ditën e martë.

Ende nuk ka një konfirmim për shifrat financiare të rrogës së pesë herë fituesit të “Topit të Artë”, por në fund të kontratës së tij ai duhet të ketë arkëtuar 1 miliard euro. Për CR7-ën është bërë gati edhe fanella me numrin 7.

Në ditët e ardhshme është parashikuar edhe ndonjë largim i bujshëm nga skuadra për t’i hapur vend rrogës së ish-yllit të Mançester Junajtidit, me uzbekun Masharipov dhe argjentinasin Martinez, kandidatët kryesorë për t’u larguar.

Gazeta tjetër madrilene “Marca”, shkon më tej duke shkruar se marrëveshja mund të zyrtarizohet në orët e ardhshme, me Kristianon që është gati për të fluturuar në Rijad për të hedhur firmën në kontratë.

Në lidhje me akordin janë zbuluar detaje të tjera: Ai do të firmosë një marrëveshje që do ta mbajë lidhur në Arabinë Saudite deri në vitin 2030.

Është parashikuar që për 2.5 vite ai të luajë si futbollist, ndërsa 5-vjeçarin tjetër do të mbajë rolin e ambasadorit për kandidaturën e Arabisë Saudite bashkë me Greqinë dhe Egjiptin për të organizuar Botërorin e 2030-ës.

Prej 22 nëntorit Kristiano Ronaldo është pa skuadër, pasi prishi me konsensus marrëveshjen me Mançester Junajtidin pas krisjes përfundimtare për atë intervistë te Pirs Morgan, në të cilën ai sulmonte klubin.

Dëshira e sulmuesit ishte që të vazhdonte të luante në nivele të larta në Europë, por klubet të cilave ai iu ofrua, nuk ishin të interesuara për të firmosur me të.