Tirana nuk po shkëlqen vetëm në Europë. Skuadra bardheblu pritet që shumë shpejt të mbyllë edhe operacionin për shitjen e dy lojtarëve, gjithmonë nëse ofertat do të kënaqin presidentin Refik Halili.
Ernest Muçi dhe Uinful Kobina patën shansin e artë për të treguar veten në Europë dhe për të fituar një kontratë faraonike në klube të tjera. Të dy lojtarët do të ndiqen nga menaxherë të shumtë dhe kërkesat për të dy nuk janë të pakta.
Ama që t’ia dalin për të bërë hapin e madh, dy lojtarët duhet të tregonin dhe të tregojnë në fushë sa vlejnë. Fakt është se të dy lojtarët janë të talentuar, kanë mundësi për të bërë gjëra të mëdha.
Në të vërtetë, këtë sezon dyshja realisht ka bërë gjëra të mëdha. Shkurt, si Muçi dhe Kobina i kanë mundësitë për të bërë gjëra të mëdha në fushë. Të marrin kontratën e jetës dhe t’i sjellin goxha të ardhura ekipit bardheblu.
ERNEST MUÇI – Me pak minuta ka ditur të shënojë golat e tij, madje duke qenë golashënues në derbi, ashtu si Kordeiro në krahun tjetër. Në dy ndeshjet e Europës ka shkëlqyer.
Nuk ka shënuar, por paraqitja në sfidën me serbët e ka çuar kuotat në 500-600 mijë euro për kartonin. Skuadrat që e duan janë disa. Ndoshta në fund do të ketë një largim për një aventurë europiane. Le të shohim…
UINFUL KOBINA – Edhe Kobina ka qenë deciziv në shumë ndeshje të Tiranës. Shtatë gola, nga ata që të bëjnë me zemër. Asiste sa të duash. Në ndeshjen me Zvezdën gaboi në dy momente. Nëse do të kishte shënuar apo asistuar, me siguri vlera e kartonit do të ishte në qiell.
Tirana kërkon të paktën 200-300 mijë euro apo edhe më shumë për lojtarin ganez. Nëse ka marrëveshje me ndonjë klub dhe ajo mbyllet, atëherë Tirana mund të marrë 1 milion euro bonus, vetëm nga shitja e dy lojtarëve në fjalë. Gjithsesi, kohë për marrëveshje të mëdha për shitjen e dy lojatrëve ka deri më 3 tetor.