Elbasani është zyrtarisht në shitje. Bashkia e Elbasanit ka nxjerrë në ankand 70% të aksioneve të “AF Elbasanit”. Ankandi do të mbahet më 3 prill 2024 për të gjithë të interesuarit që duan të zotërojnë shumicën mazhoritare të aksioneve të klubit. Shifra bazë me të cilën do të nisë ankandi është 138,386,000 lekë të vjetër.
Bashkia ka vendosur të mbajë 30% të aksioneve duke mos u ndarë plotësisht nga klubi që po bashkon qytetin e Elbasanit. Newsport.al ka arritur të sigurojë nga burime zyrtare dokumentin që zyrtarizon nxjerrjen në ankand të klubit “AF Elbasani”.
Elbasani po kalon një formë fantastike këtë sezon teksa kryeson Kategorinë e Parë me 56 pikë, 1 më shumë se Bylis ndjekës 9 javë nga fundi.
Vetëm matematika e ndan nga rikthimi në elitën e futbollit shqiptar, por edhe kjo është thjeshtë çështje kohe përpara se të shohim sërish ngjyrat historike verdheblu në Kategorinë Superiore.