Vllaznia dhe Elbasani kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, përfundoi me rezultatin 1-1. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i verdhebluve, Ivan Gvozdenovic.

“Nuk mund të them jemi shumë të kënaqur, por s’jemi të mërzitur. 1 pikë kundër Vllaznisë nuk është keq. Kemi krizë rezultatesh dhe pikësh. Kemi nevojë për pikët. Për mua është e rëndësishme që lojtarët të mos humbin besimin. Deri tani jam shumë i kënaqur me skuadrën, por nga ana tjetër kemi nevojë për pikët, aty ku kemi ngërç.

Ne gabojmë shumë tek pasimi i fundit, diçka e tillë mungoi sot. Vllaznia ishte paksa e hapur gjatë minutave të fundit dhe ata kërkonin fitore si ne. Kemi lojtarë të shpejtë dhe kishim mundësi, ishte pikërisht pasimi i fundit që nuk bëmë dot siç duhet. Ne jemi skuadër e mirë dhe do Zoti do të vazhdojmë si sot.

Ne mendojmë momentalisht vetëm për ndeshjen e Kupës të martën. Për Partizanin kemi kohë, do luftojmë, kushedi ndoshta kapim diçka”, është shprehur Ivan Gvozdenovic.