Nesë në Elbasan do të zhvillohet miqësorja në mes Shqipërisë dhe Italisë në futboll për femra dhe do jetë një test për vajzat tona që siç dihet drejtohen nga dy trajnerët shkodranë Armir Grima dhe Vioresin Sinani. Këta dy të fundit kanë grumbulluar ndërkohë edhe ekipin në Durrës dhe interesant është fakti se ndër 22 futbollistet e grumbulluara, plot 10 i takojnë ekipit kampion të vendit- Vllaznisë. Bëhet fjalë për Raxhimin, Proton, Maliqin, Bajraktarin, Gjinin, Jasharin, Mujen, Franjen, Doçin dhe Gjergjin. Grumbullimi i kaq shumë futbollisteve nga ky ekip sigurisht që tregon më së miri për rolin që Vllaznia ka në futbollin e femrave. Por përveç 10 futbollisteve nga Vllaznia, të grumbulluara për miqësoren me Italinë janë edhe dy futbolliste të tjera shkodrane, pikërisht Paula Jaku e Juban Danjes dhe Marsela Djegsina e Ajaksit. Ndeshja ndaj kombëtares italiane natyrisht që do t’i vlejë ekipit tonë kombëtar për të parë veten. Natyrisht që diferencat e këtij lloj futbolli janë të mëdha me vendet e tjera të Europës megjithatë Federata Shqiptare e Futbollit po mundohet që t’i zvogëlojë sa më shumë këto diferenca dhe për këtë arsye, po mundohet që të zhvillojë të tilla ndeshje miqësore. Trajneri Grima kuptohet që nuk e ka të lehtë këtë gjë sepse edhe numri i futbollisteve cilësore që ai ka në dispozicion nuk është i madh. Jo më kot, fakti që Vllaznia ka bazën e këtij ekipi, tregon më së miri për rëndësinë që ka ajo edhe në Kombëtare.