Kupa e Botës po afron. Një kompeticion i tillë me kaq rëndësi njihet për rekordet e shumta dhe të veçanta që vendosen.
Ndërsa kombëtaret janë në përgatitjet e fundit për “Rusi 2018”, më poshtë është një listë me fitoret më të mëdha (më të thella) në historinë e Kupës së Botës.
10) Portugali-Korea e Veriut 7-0 (2010)
Përplasja e edicionit 2010 midis Portugalisë dhe Koresë së Veriut u vendos nga Cristiano Ronaldo, i cili shënoi golin e tij të parë ndërkombëtar pas 16 muajsh, që ishte edhe i vetmi në këtë turne.
Raul Meireles, Simao, Hugo Almeida, Liedson dhe Tiago (2) ishin golashënuesit e tjerë, në ndeshjen e vetme ku Portugalia shënoi.
9) Poloni-Haiti 7-0 (1974)
Polonia i fitoi të tria ndeshjet në grupe të edicionit 1974, ku u rendit në vendin e tretë, ku triumfi 7-0 ndaj Haitit ishte më imponuesi.
“Hat-trick” nga Andrzej Szarmach, ju shtuan golat e realizuar nga Grzegorz Lato (2), Jerzy Gorgon dhe Kazimierz Deyna.
8) Turqi-Republika e Koresë 7-0 (1954)
Edicioni 1954 u dallua për numrin e madh të golave të shënuar, me fitoren tenistike 7-0 të Turqisë ndaj Koresë së Jugut, duke i dhënë fund rekordit ekzistues të një fitoreje në Botëror me diferencë prej gjashtë golash.
Në fakt, vetëm në grupin e dytë, u shënuan 32 gola në vetëm katër ndeshje mes Turqisë, Koresë, Gjermanisë Perëndimore dhe Hungarisë së madhe.
7) Uruguai-Skoci 7-0 (1954)
Edicioni 1954 do të mbahet mend gjatë nga Skocia, pasi ishte pjesëmarrja e parë në një kompeticion të tillë, edhe pse vetëm 13 lojtarë udhëtuan në turneun e Zvicrës.
Pasi u mund 1-0 nga Austria në ndeshjen e parë, Skocia u godit nga një “hat-trick” i Carlos Borges, ndërsa Oscar Miguez dhe Julio Abbadie, secili, shënuan nga dy herë.
6) Gjermani-Arabia Saudite 8-0 (2002)
Edicioni 2002 u hap me një rezultat turpërues 8-0 të Arabisë Saudite përballë Gjermanisë së trajnerit Rudi Voeller. Fitorja u frymëzua nga një trigolësh i Miroslav Klose-s, ndërsa Michael Ballack, Carsten Janker, Thomas Linke, Oliver Bierhoff dhe Bernd Schneider, gjithashtu, e shënuan emrin në këtë ndeshje të paharruar.
5) Uruguai-Bolivia 8-0 (1950)
Uruguai luajti vetëm një ndeshje në grup gjatë edicionit 1950, pasi ekipi kombëtar francez u tërhoq nga turneu. Oscar Míguez shënoi tre gola, me Uruguain që u kualifikua në raundin tjetër, përpara se të mundte Brazilin në finale.
Miguez në fund të kompeticionit u rendit si golashënuesi i dytë më i mirë, pas Ademir.
4) Suedi-Kubë 8-0 (1938)
Edicioni 1938 vendosi Suedinë përballë Kubës në fazën çerekfinale, një ndeshje e cila përfundoi me poshtërimin e kësaj të fundit. Harry Andersson dhe Gustav Wetterstrom, secili prej tyre shënoi nga tri gola , ndërsa Tore Keller dhe Arne Nyberg, gjithashtu, ishin pjesë e golashënuesve.
3) Hungari-El Salvador 10-1 (1982)
Kualifikimi i El Salvadorit ne edicionin 1982 ishte një mrekulli në vetvete, me luftën civile, që po e shkatërronte këtë vend. Zëvendësuesi Laszlo Kiss shënoi një “hat-trick” pas shtatë minutash, për t’u bërë i vetmi lojtar, që shënonte tri gola edhe pse nuk e niste si titullar dhe, gjithashtu, që i realizoi kaq shpejt.
Si Hungaria, ashtu edhe El Salvador, u eliminuan pas ndeshjeve në grup, ndërsa Belgjika dhe Argjentina përparuan.
2) Jugosllavi-Zahire 9-0 (1974)
Zahire ishte i vetmi ekip afrikan në edicionin 1974 dhe u paraqit në këtë edicion, në mes të polemikave dhe diktaturës në këtë vend.
Shpresat e tyre u shkatërruan shpejt, sepse fillimisht humbën ndaj Skocisë dhe pastaj u shkatërruan, me rezultatin 9-0 nga Jugosllavia, në fazën e grupeve.
1) Hungari-Republika e Koresë 9-0 (1954)
Brezi i artë i Hungarisë kryesoi grupin e dytë në edicionin 1954, kjo falë edhe fitores 9-0 ndaj Koresë së Jugut, në ndeshjen e saj të dytë në Zurich.
Ferenc Puskas shënoi dy herë në këtë takim, me Hungarinë që pësoi një humbje të papritur me rezultatin 3-2, në finale kundër Gjermanisë Perëndimore. /EDS/