10 ndeshje- 10 fitore. Me një ecuri të tillë në kampionat janë krenuar vajzat e Vllaznisë në volejboll për të reja. Por jo vetëm ato.
10 fitore në po kaq ndeshje të luajtura ka edhe një ekip tjetër i klubit Vllaznia, ai i basketbollit të të rejave.
Një ecuri e shkëlqyer e cila tregon më së miri për dominimin në kampionat të këtij ekipi ndaj rivaleve të tjera.
Madje, në shumë prej ndeshjeve, diferenca në rezultat ka qenë shumë e madhe. Kështu ka ndodhur edhe në ndeshjen e rradhës, atë të zhvilluar ditët e fundit kur Vllaznia ka fituar në transfertë ndaj Apolonisë me rezultatin e thellë 92-13.
Pra, plot 79 pikë epërsi, çka tregon më së miri për epërsinë e vajzave të drejtuara plot meritë nga dyshja e mirënjohur e trajnerëve Xhuli Shestani- Renato Radoja.
Nga ky ekip kujtojmë se është larguar një nga lojtaret e saj më të mira, Bernada Rreshpja e cila i është bashkuar Tiranës, por pavarësisht këtij largimi, vajzat e tjera kanë vazhduar të japin më të mirën.
Prandaj dhe fitoret kanë vazhduar dhe Vllaznia në basketboll për të reja me këtë ecuri po shkon e sigurtë drejt fitimit të titullit kampion këtë sezon.
© shkodrasport.com