Nga Endri ÇINARI
Vllaznia do e mbyllë pjesën e parë të kampionatit ndaj Skënderbeut. Takim që do zhvillohet ditën e premte, në orën 17:00. Një duel që do luhet në Shkodër dhe ku detyra për kuqeblutë është e qartë. Të vijohet në rrugën e fitoreve, që të gjithë të shkojnë më të qetë në pushimet dimërore.
Dhe statistikat ndaj korçarëve në vitet e fundit flasin për shkodranët. Në 3 vitet e fundit ka një dominim të kuqebluve ndaj “ujqërve”. Ku numërohen 7 suksese dhe 3 barazime në 10 ndeshjet e fundit. Ku patjetër ajo që mbetet për tu përmendur është finalja e kupës në vitin 2021. Ku Vllaznia fitonte 1-0 falë një goli të Da Silvas.
Suksesi i fundit i korçarëve ndaj Vllaznisë daton më 11.07.2020, ku bardhekuqtë fitonin 2-1. Dhe do ishte një gol i shkodranit Belajdi Pusi për juglindorët që do i jepte fitoren e fundit ndaj Vllaznisë. Pra një periudhë prej 3 vitesh ku shkodranët nuk njohin disfatë ndaj një kundërshtari të tillë.
Patjetër që një traditë të tillë do duan ta vijojnë edhe fundjavën tjetër. Ku nga të gjithë tifozët shkodranë pritet vazhdimësia e formës pozitive të skuadrës. E po ashtu mbyllja sa më pozitive e vitit 2023, për të pritur një Vllazni ndryshe në fillimin e vitit 2024.