Ndodh edhe kështu. Madje për të disatin vit rradhazi. Ndonëse thuhet se është anketa “10 sportistët më të mirë të vitit”, anketë kjo tradicionale për sportin shqitar, në Shkodër ky numër nuk ka vit që nuk transformohet. Prandaj edhe këtë vit, ndonëse u tha se do përzgjidhen 10 më të mirët e sportit shkodran për vitin 2011, madje edhe u përzgjodhën në bazë të anketës së bërë me trajnerë, specialistë e gazetarë, në ditën e fundit, u shtuan edhe dy të tjerë.

Kësisoj numri i më të mirëve shkoi në 12. Në pamje të parë nuk ka asgjë të keqe sepse u shtuan dy sportistë por në të vërtetë këtu humb serioziteti i anketës. Barazohet një sportist që ka dalë nënkampion Europe me një sportist që ka dalë nënkampion Shqipërie. Kjo bëhet edhe me qëllim përfshirjen e shumë sporteve në këtë anketë por nuk është krejt logjike. Një arsye tjetër pse bëhet kjo, mund të jetë edhe dëshira e shefit të klubit për ta mbajtur mirë me të gjithë sportistët dhe trajnerët dhe prandaj një shtesë në 10-she, nuk është se prish shumë punë. Po kush janë 12 sportistët më të mirë të vitit që po lëmë pas në klubin shumësportësh Vllaznia? 10 të parët i kemi bërë publik prej ditësh dhe ata janë: Erkand Qerimaj, Kristian Demaj, Asmer Bilali, Aurora Shkoza, Albert Marashi, Elvedin Meti, Izmir Smajlaj, Atrid Miloti, Gjon Ndoja e Marjan Bregu.Dy të shtuarit janë boksieri Nelson Hysa dhe mundësi Mirsad Dekovi. Ndërkohë në këtë anketë të fundvitit 2011, janë shpallur edhe tre trajnerët më të mirë që janë: Zef Gjoni, trajneri i boksit: Vildan Tufi, trajneri i atletikës dhe Anton Shkoza, trajneri i xhudos. Ekipet e këtyre trajnerëve janë shpallur kampionë për vitin 2011 prandaj dhe e kanë merituar plotësisht edhe vlerësimin si trajnerët më të mirë.

 

www.shkodrasport.com