Mbi 100 futbolliste femra kanë dërguar sot në mëngjes një letër FIFA-s ku i kanë kërkuar që të ndërpritet bashkëpunimi me kompaninë e karburanteve saudite, “Aramco”.

Sipas futbollisteve, të cilat vijnë nga 24 vende të ndryshme, akordi mes FIFA-s dhe kompanisë të karburanteve duhet që të prishet sa më parë të jetë e mundur.

Sipas “The Times”, FIFA nga ky bashkëpunim përfiton plot 90 milionë euro në vit. Thuhet se akordi i nënshkruar para pak ditësh përfundon në 2027-ën.

Futbollistet femra akuzojnë FIFA-n se me nënshkrimin e këtij bashkëpunimi ka parë vetëm aspektin ekonomik. Sipas tyre Arabia Saudite më këto sponsorizime kërkon që të “pastrojë imazhin” e vendit të vet.

Tashmë nuk është një sekret se sauditët duan që të organizojnë Kupën e Botës në vendin e tyre në 2034-ën. Për të arritur një synim të tillë i ka ndihmuar edhe FIFA duke ndryshuar për herë të parë edhe metotën e votimit të vendit organizator.