Gjermanët rrallë bëjnë gabime me financat dhe shembulli perfekt është Bayern. Si rrallë klube në botë, bavarezët kurrë nuk kanë probleme me paratë. Situata po ndryshon së fundmi, sepse inflacioni po godet të gjitha industritë dhe futbolli nuk mund të izolohet nga faktorët ndërkombëtarë.
Kjo ka detyruar Bayern të mbajë të njëjtin ritëm me superfuqitë si Real Madrid, PSG dhe Manchester City, duke rinovuar kontratat e disa yjeve me paga të larta.
Davies, Musiala dhe Kimmich janë tre lojtarët të cilët kanë rinovuar së fundmi. Pagat e tyre janë “monstruoze”, por klubi është i detyruar, sepse ky është futbolli modern sot.
Për këtë arsye, Karl-Heinz Rummenigge, drejtues historik i Bayern, u ka bërë një thirrje publike lojtarëve që të “justifikojnë” mundin e klubit duke fituar Botërorin e klubeve.
“Ky turne do të jetë një shans i madh për marketing, por edhe për të gjeneruar të ardhura shtesë”, u shpreh së fundmi gjermani. Bayern ka përfituar 35 mln euro vetëm për t’u bërë pjesë e turneut që do të luhet në SHBA.
“Ideja është që të shfaqim filozofinë tonë Mia San Mia, që do të thotë të shkojmë për të fituar. Kalimi i fazave do të na ndihmojë për të fituar para. Nëse është e mundur, duhet të fitojmë”, tha Rummenigge. Nëse shpallet kampion i Botërorit të klubeve, Bayern gjithsej do të arkëtojë 100 mln euro. Jo keq.(telesport)