Agustin Torasa dhe Elton Kale janë bërë sh kak për bllokimin e merkatos së lojtarëve të Tiranës ose më saktë regjistrimin e lojtarëve të rinj në janar. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se ky është lajmi më i fundit që ka dalë nga kampi bardheblu dhe zyrat e FSHF-së.
Detyrimet ndaj dy lojtarëve kanë bërë që futbollistët të bllokojnë merkaton e bardhebluve në këtë prag janari. Tirana derisa të paguajë ose të bëjë marrëveshje nuk mund të regjistrojë lojtarë të rinj, çka ka paralizuar merkaton. Për bllokimin e merkatos janë bërë sebep dy ish-ët e mesfushës.
ÇËSHTJA – Para disa kohësh Elton Kale dhe Agustin Torasa kanë fituar gjyqin në FIFA me Tiranën për çështje detyrimesh. Lojtari brazilian prej kohësh kishte çuar bardheblutë në gjyq. FIFA publikoi vendimin ku lojtari ka fituar 67800 euro, të cilën duhet ta paguajë Tirana.
Elton Kale para gjykatës së FIFA-s ka kërkuar 99500 euro si detyrime të prapambetura. Në përgjigjen e tij, klubi pranoi se kishte mospagesë të shumave të caktuara për lojtarin, por argumentoi se vetëm shuma prej 17,085 eurosh ishte detyrimi, duke hedhur poshtë kërkesën e Kalesë lidhur me të drejtën e tij për 95500 euro.
Gjykata pasi analizoi me kujdes çështjen në vend konkludoi se në përputhje me parimin ligjor, “pacta sunt servanda”, lojtari ka të drejtë të marrë një shpërblim të papaguar në shumën prej 67800 eurosh. Agustin Torasa mori 38500 euro si detyrime të prapambetura.
Gjatë gjyqit, Torasa ka kërkuar më shumë se 74 mijë euro, ndërsa Tirana nga ana e saj në gjyq ka pranuar 21900 euro detyrime, ndërsa ka deklaruar se lojtari ka marrë 10102 euro si pagesë nga Bashkia e Tiranës më 26 nëntor 2019 që korrespondon me 5000 euro si bonus kampionati dhe 5102 euro si pagë e janarit 2020 deri në prill 2020 dhe 4000 euro të marra më 27 shtator 2021 si pagesë e lidhur me marrëveshjen.
Në diskutime, lojtari ka pohuar që ka marrë disa para nga Tirana, por nuk është tërhequr për të tjerat. Pas shumë diskutimesh, komisioni juridik i FIFA-s i ka dhënë të drejtë Torasës duke e shpërblyer me 38.500 euro.
REAGIMI – Dy lojtarët e kontaktuar nga “Panorama Sport” pranuan se ende nuk kanë folur me avokatët e tyre, ndërsa zgjidhja është pagesa.
“Ende nuk kam marrë informacion nga avokati im. Nëse është e vërtetë atëherë ajo zgjidhet me një mënyrë, pagesën”, u shpreh Agustin Torasa. Elton Kale ishte në të njëjtën linjë. “Nuk e di situatën, por avokati po mundohet të zgjidhë çështjen”, mbylli Elton Kale.