Shqipëria ka rigjetur fitoren në Ligën e Kombeve. Ngërçi i golave tashmë ka marrë fund, teksa kuqezinjtë kanë shënuar 3 herë në portën e Kazakistanit, ndërsa këta të fundit shënuan vetëm njëherë.
Me këto tre pikë të marra mbrëmjen e sotme Kombëtarja e drejtuar nga Edi Reja shkon më e sigurt në ndeshjen e radhës kundër Bjellorusisë, ku do të kërkojë me ngulm vendin e parë në grup.
Elseid Hysaj, foli pas triumfit 3-1 të Shqipërisë në shtëpi përballë Kazakistanit. Në prononcimin pas këtij triumfi, mbrojtësi shkodran u shpreh:
“Rëndësi ka që fituam ndeshje dhe treguam që ishim skuadër kompakte. Diferencën e bëri grupi, që sakrifikoi shumë. Ajo ishte arma më e rëndësishme.
E kemi ditur që në fillim që do na duheshin 2 fitore për të kapur vendin e parë.
Të rikuperojmë sa më shpejt dhe të japim më të mirën në ndeshjen e ardhshme ndaj Bjellorusisë”, u shpreh Hysaj.