Në një nga ambjentet e Hotel “Karlsberg” në kryeqytet, u promovua libri “133 iluministët e sportit shqiptar” me autor gazetarin e mirënjohur nga qyteti i Lezhës, Irfan Rama. Botimi i kësaj vepre është i pesti për të dhe i treti që i kushtohet sportit. Pas botimeve te librave: “Revolucioni kuq e zi i Giani De Biazit” dhe “Futbolli anglez 151 vjet histori”, botimi i kësaj vepre është i veçantë pasi pasqyron profilet e 133 personaliteteve nga trevat shqipfolëse si Shqipëria, Kosova dhe Maqedoni e Veriut. .
Në aktivitetin e zhvilluar morën pjesë personalite të ndryshme nga sportet e ndryshme, gazetarë sportiv dhe jo vetëm, nga media vizive dhe ajo e shkruar. Ndër personalitet e shquar të sporit shqiptar të pranishëm spikatën emrat e Agim Fagut, Ismet Bellova, Lluka Heqimi, Rudolf Marku, Leonard Tase, Ela Tase, Mirel Josa, Bedri Omuri, Vaso Shaka, Luigj Bytyçi, Valentina Myrto, Ajet Toska, Prof. Dokt Qemal Shalsi, Iljaz Ceco, Mehdi Bushati, etj. Në këtë event ishin të pranishëm dhe personalitet nga Kosova Besim Hasani (ish president i Komitetit Olimpik i Kosovës), Azis Salihu (boksier i shume i njohur dhe medalist në shumë evente ndërkombëtare), Mehmet Bogujevci (nënkampion i botës në boks).
Fillmisht të pranishmëve u foli drejtoresha e Media Print, znj Anila Bisha. Mes të tjerash ajo foli për rrugëtimin në cilësinë e gazetarit nga shkrimi i parë i botuar në vitin 1988 e në vazhdim, ku numërohen rreth 4000 shkrime, përfshirë analiza, opinione, profile dhe dosier. Më pas ajo u ndal të cilësitë e librit dhe personazhet e përfshirë në të, i cili me përshkrimin i bën ata të pavdekshëm, të mos kenë ditë vdekje por vetëm ditëlindje.
Në vijim në disktutimin e tij, personaliteti i sportit shqiptar, Agim Fagu, mes të tjerash theksoi “Botimi i veprës është një vlerësim i madh për sportin shqiptar. Me talentet dhe me përkushtimin e tyre, ndërtuan historinë e sportit shqptar”. Shkrimtari i njohur, Rudolf Marku, pohoi se me botimin e veprës vlerësoi gazetarin Irfan Rama, si gazetar i përmasave të mëdha i cili përdor me mjeshtri shumë zhanre të letërsisë si esene, profilin, portretin, reportazhin etj.
Ndërsa Lluka Heqimi e cilësoi veprën të nivelit të lartë, vetë fjala iluminist, tregon se rruga e çdo njërit personazh sportiv të përfshirë në vepër, e kanë ndriçuar sportin shqiptar me punën dhe përkushtimin e tyre. Ndërsa në fjalën e tij, ish-kreu i KOKK, Besim Hasani u ndal jo vetëm te cilësia e veprës por dhe të aftësitë e gazetarit si lektor dhe si menaxher në fushën e marketingut. Në fund ka vend dhe për një surprizë, me vendim të Këshillt të Paqes Tiranë, gazetari Irfan Rama, shpallet ambasador i paqes në vendin tonë. Kujtojmë që ky gazetar ka qenë ndër themeluesit e gazetës “Koha Jonë” dhe po ashtu edhe ndër të parët gazetarë të “Panorama Sport”.
Nderim GOCI