Vllaznia prej dy ditësh ka nisur përgatitjet për ndeshjen e rradhës, atë që do të luajë ditën e premte në orën 18:00 në “Elbasan Arena” ndaj ekipit të Kukësit. Ky i fundit po kalon momente aspak të mira në këtë kampionat dhe në pamje të parë konsiderohet një sfidë e lehtë, megjithatë në kampin shkodran ky takim është duke u vlerësuar maksimalisht.
Në stërvitjen e së mërkurës kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët me përjashtim të brazilianit Da Silva i cili ka qenë në infermieri për shkak të disa shqetësimeve që ka patur. Pjesa tjetër e lojtarëve ka qenë në dispozicion të stafit teknik teksa për përballjen e së premtes nuk do të ketë asnjë të pezulluar me kartona apo të dëmtuar.
Kjo do ta ndihmojë trajnerin Brdariç të zgjedhë sërish më të mirët për formacionin me të cilin do ta nisë këtë ndeshje nga minuta e parë. Ajo që duhet të rregullojë Vllaznia në fakt është vetë shënjestra e portës kundërshtare sepse në ndeshjet e fundit, sulmi i saj ka gabuar jo pak, duke bërë që skuadra të lërë pikë shumë të vlefshme.
Pikërisht nga kjo, kuqeblutë nuk janë sot në vend të parë të renditjes, por në të tretin. Shanset e tyre për titullin kampion tashmë janë më të pakta, por gjithsesi janë edhe 5 ndeshje deri në fund dhe nëse bëjnë mirë në to, nuk përjashtohet mundësia që të jenë ata kampionë të vendit. Megjithatë 26 maj i ndeshjes së fundit të kampionatit është larg dhe i gjithë fokusi është përqendruar tek takimi i së premtes me Kukësin.
Skuadra e Mirel Josës ka gabuar jo pak në ndeshjet e fundit, por kjo nuk do të thotë se ndaj Vllaznisë do të luajë “e dorëzuar”. Përkundrazi, shkodranët duhet ta marrim shumë seriozisht këtë ballafaqim të vlefshëm për javën e 32-të të Kategorisë Supeiore sepse objektivat e tyre kalojnë pikërisht nga ky takim.