Paraqitjet shumë të mira që ka bërë gjatë sezonit të fundit, kanë bërë që drejtuesit e klubit Olimpiakos të mendojnë
për t’i ofruar një kontratë profesioniste futbollisti me origjinë nga Shkodra Andreas Ndoj.
Për rrjedhojë, pak ditë më parë, 17 vjeçari shtatëlartë ka hedhur firmë në kontratë dhe do të jetë pjesë e klubit të
njohur grek për tre vitet e ardhshme, pra deri në vitin 2023.
Ndoj ndonëse është 1.87 metra i gjatë, luan në qendër të mesfushës dhe dallohet për një lojë të mirë me këmbë, ashtu
si dhe me kokë dhe pikërisht prej këtyre veçorive, drejtuesit e ekipit kombëtar grek të grupmoshës U17 insistuan duke ia marrë Shqipërisë dhe tashmë ai përfaqëson ngjyrat e vendit fqinj.
Kuptohet atje ndjehet shumë i vlerësuar dhe jo më kot edhe kontrata profesioniste që ka firmosur tashmë me Olimpiakos, e vërteton më së miri këtë gjë.
Pak ditë më parë Ndoj bashkë me ekipin e tij luajti finalen e kampionatit të Greqisë për grupmoshën U17 dhe ajo u
mbyll me rezultatin e barabartë 3-3 ndërkohë që me 11-metërsha PAOK fitoi 6-5 duke u shpallë kampion.
Megjithatë vlerësimet për Andreas Ndojin në mediat greke nuk mungojnë dhe ai konsiderohet një lojtar me shumë të
ardhme. Sezonin e ardhshëm do të luajë me ekipin U19 të Olimpiakos por kuptohet që edhe drejtuesit e ekipit të parë do t’i hedhin sytë herëpashere drejt tij.
www.shkodrasport.com