Shqipëria luajti mbrëmë kundër Andorës, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e botërorit “Qatar 2022”. Kuqezinjtë e mbyllën këtë rrugëtim në vendin e tretë. Pas triumfit 1-0 kundër Andorës në “Air Albania”, kombëtarja shqiptare arriti të grumbullonte plot 18 pikë.

Për herë të parë në histori, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Edi Reja vendosën këtë rekord në këto kualifikuese. Pas ndeshjes, ka shkruar presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Kreu i FSHF-së përmes një mesazhi në faqen zyrtare shprehet i lumtur për ato që përfaqësuesja jonë dha përgjatë këtij rrugëtimi thuajse 1-vjeçar. Në facebook-un e tij shkruhej:

“Mbyllëm sot eliminatoret e Botërorit “Qatar 2022”, pas nje fitore të mundishme, por shumë të rëndësishme, ndaj Andorrës në Tiranë. Përfunduam një rrugëtim përgjithësisht pozitiv ku si asnjëherë në histori siguruam 18 pikë. Morëm 6 fitore, rinovuam skuadrëm, ju dha hapësirë elementëve të rinj dhe sot kemi një skuadër me një moshë mesatare ndër më të rejat.

Jemi gjithashtu koshient se paraqitja me Anglinë ishte shumë larg asaj që ne pretendojmë nga kjo skuadër, apo humbjet me Poloninë sollën zhgënjim të madh, por është koha të shikojmë me besim përpara.

Kemi hedhur baza të forta, kjo skuadër duhet mbështetur. Me punë, ashtu siç kemi treguar gjithmonë, ne do t’i arrijmë objektivat tonë, ato për të qënë protagonist në futbollin europian dhe për të çuar Shqipërinë në Euro2024″./newsport