Në barazim 1-1 është mbyllur ndeshja e luajtur pasditen e sotme në “Ismail Xhemali” të Pukës në mes Tërbunit vendas dhe “Vllaznia B”, ndeshje kjo e vlefshme për javën e dytë të kategorisë së parë. Interesant është fakti se nga 22 futbollistët që kanë zbritur në fushë, plot 18 kanë qenë nga Shkodra. “Vllaznia B” kuptohet që ka një përbërje tërësisht me futbollistë nga ky qytet ndërkohë që tek Tërbuni e kanë nisur si titullar 7 vetë.
Bëhet fjalë për portierin Rexhepi, mbrojtësit Rustemaj, Beci, Balaj, mesfushori Lekaj dhe sulmuesit Shaba e Nimani. Me kaq shumë shkodranë në fushë sigurisht që gjithçka ka qenë “fair-play” dhe në fund ata kanë shtrënguar duart me njëri- tjetrin ndonëse tifozët pukjanë mund të jenë zhgënjyer nga rezultati. Të parët kaluan në avantazh shkodranët e “Vllaznia B” me anë të Markolajt por kjo ka zgjatur vetëm tetë minuta sepse më pas ka barazuar Shaba për vendasit.
© shkodrasport.com