Barazimi 1-1 mbrëmjen e së enjtes në “Loro Boriçi” u jep ende shpresë futbollistëve të Vllaznisë për kualifikim në sfidën e kthimit në Rumani. Kuptohet që gjërat do të bëhen shumë më të vështira për ta në stadiumin e Krajovës, por gjithsesi, duke luajtur me kujdes, edhe mund t’ia dalin të jenë ata në turin e tretë të “Conference League”.

Ndeshja e ardhshme në mes këtyre dy ekipeve do të luhet të enjten e ardhshme në transfertë dhe shkodranët do të tentojnë mrekullinë për të fituar dhe për t’u kualifikuar, ndonëse në pamje të parë kjo gjë duket shumë e vështirë. Josa pas ndeshjes së parë u shpreh se shanset janë 50 me 50, çka do të thotë se ai ka shumë besim tek lojtarët që stërvit.

Por ndërkohë, me shumë të ngjarë, nisur edhe nga paraqitja e ekipit në pjesën e dytë të ndeshjes së luajtur në Shkodër, për ballafaqimin e dytë me rumunët mund të ketë edhe 2-3 ndryshime në formacion. Gjasat janë që Marku, Hoxhaj dhe Kaina të zënë vendet e Heriç, Krujës dhe Aralicës.

Megjithatë do të jenë ditët në vijim ato që do ta saktësojnë këtë gjë, nisur edhe nga forma që do të të tregojnë lojtarët në stërvitje. Kuptohet që Vllaznia nuk ka asgjë për të humbur, do të jetë më e qetë në këtë takim sepse presionin do ta kenë vendasit.

Ata nuk mund ta pranojnë faktin që kualifikimi të vihet në dyshim nga një skuadër pa shumë emër si ajo shkodrane. Megjithatë, sezonin e kaluar rumunët e patën provuar shijen e hidhur të eliminimit nga Laçi dhe mbase mund ta provojnë sërish edhe nga Vllaznia./SHKODRA=SPORT.COM/