19 vjeçarët e KF Shkodra vijojnë serinë e fitoreve dhe rrugëtimin e tyre drejt Kategorisë Superiore. Ato kanë arritur sot një fitore të thellë me rezultatin 7-1 ndaj Spartakut.
Në prag të kësaj përballje, ishte krijuar ideja se do të kishim një sfidë shumë të fortë ngaqë të dy ekipet ishin shumë pranë njëri- tjetrit në renditje. KF Shkodra kishte 27 pikë dhe Spartaku 25.
Por në fakt në fushë ka qenë tjetër gjë. Djemtë e drejtuar nga trajneri Bujar Celufaj kanë treguar një diferencë të madhe me kundërshtarin dhe këtë e thotë edhe rezultati përfundimtar i ndeshjes.
Ka qenë Zeneli ai që ka shënuar golin e parë që në minutën e parë dhe më pas kanë ardhur njëri pas tjetrit golat e Troshanit, Ivzikut, Gerdocit dhe Jukës ndërkohë që pas rezultatit 5-0, miqtë do të shënonin me anë të Kepit golin e tyre të vetëm.
Në fundin e pjesës së parë do të shënonte sërish Zeneli për KF Shkodra ndërkohë që në pjesën e dytë ka qenë Juka që ka shënuar edhe ai golin e tij të dytë dhe duke vulosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes 7-1.
Me këtë fitore, KF Shkodra U19 vijon të jetë në vendin e parë në renditje me 30 pikë tashmë, ndërkohë që në vend të dytë dhe të tretë me nga 25 pikë janë Partizani B dhe Spartaku.
www.shkodrasport.com