Stiven Shpendi është përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në Serinë C italiane. Sulmuesi pukjan, i cili ishte edhe i grumbulluar me ekipin U-21 në muajin shtator, po vazhdon të shkëlqejë me Çezenën.
Tashmë, pasi u shpall golashënuesi më i mirë i Primaverave të Çezenës, ku shënoi 25 gola, ai ka kaluar në ekipin e parë që merr pjesë në Serinë C. Në pesë ndeshje të luajtura deri tani, Shpendi ka shënuar dy gola, teksa në fundjavë ishte protagonist i një goli me penallti që hapi sfidën, ndërsa në vazhdim ai ishte ndër futbollistët më të mirë në fushë.
Kjo paraqitje e ka nxjerrë 19-vjeçarin shqiptar në formacionin më të mirë. Pjesë e Çezenës është edhe vëllai binjak i tij, Kristiani, që nuk luajti në këtë sfidë.
Kujtojmë se, në Itali kemi shumë futbollistë të talentuar shkodranë dhe shqiptarë, ku disa prej tyre kanë zgjedhur të përfaqësojnë Shqipërinë, por ka edhe të tjerë që ëndërrojnë Italinë. E rëndësishme është që këta talente të rriten dhe të zhvillohen sa më shumë dhe më pas të zgjedhin Kombëtaren që iu do zemra dhe nëse e ndjejnë fanellën kuqezi, janë të mirëpritur.
Maringlen ZHIVANI