Një tjetër sukses për xhudistët e Vllaznisë. Ata kanë sjellë në Shkodër sërish medalje, madje plot 6 të tilla nga turneu që është zhvilluar sot në Prishtinë dhe ku kanë marrë pjesë sportistë të shumta nga Rajoni. Kështu janë arritur të merren 2 medalje ari, 2 argjendi dhe 2 bronzi nga 9 sportistët që kanë marrë pjesë në turneun “Fuat Gashi” të zhvilluar në palestrën e sporteve “Adem dhe Hamzë Jashari”. Më i suksesshmi nga të gjithë ka rezultuar xhudisti Xhovani Shkoza që duke konkurruar në peshën 50 kg për grupmoshën e 15 vjeçarëve ka zënë vendin e parë pas 3 fitoreve të arritura. Vend të parë ka zënë edhe Damian Çuni në peshën 34 kg për moshën 12 vjeç. Nga ana tjetër vende të dytë kanë zënë Daniel Shkoza në peshën 66 kg dhe Edmond Prenga për të rritur në peshën 81 kg ndërsa Luigj Shkoza në peshën 73 kg dhe Xhulio Kaçi në peshën 73 kg (senior) kanë zënë vende të treta. Paraqitje të mirë, pavarësisht se nuk kanë marrë medalje kanë bërë edhe sportistët Amarildo Lleshi, Krismando Bisha e Elvis Mhilli. Në këtë mënyrë, xhudistët shkodranë vazhdojnë të na nderojnë në të gjithë aktivitetet ndërkombëtare ku ata marrin pjesë dhe suksesi i sotëm në Prishtinë, ka qenë ai i rradhës por jo i fundit.
www.shkodrasport.com