101 vite nga krijimi. Ka qenë pikërisht 16 shkurti i 1919 kur në Shkodër do të lindte klubi sportiv Vllaznia dhe qysh prej asaj kohe Shqipërisë do i shtohej një xhevahir, jo vetëm në futboll.
Kjo ditë e veçantë i gjen shkodranët në një transfertë të vështirë përballë Teutës. Në orën 17:00 në “Niko Dovana” do përballen dy skuadrat që gjatë këtij sezoni kanë treguar një lojë sulmuese, duke premtuar spektakël gjatë 90 minutave.
Trajneri Mirsad Jonuz nuk do të ketë në dispozicion dy lojtarë. Veterani Ndriçim Shtubina ka plotësuar numrin katër të kartonave të verdhë, ndërsa Dajan Shehi po kalon një gjendje gripale dhe me gjasë nuk do ia dalë.
Mungesë mund të quhet edhe portieri Sherri, që pas “gafës” në ndeshjen e shkuar do t’i lërë vendin Laços në katërkëndësh. Përballë shkodranit Edi Martini, Vllaznia do kërkojë t’i bëjë dhuratë vetes tri pikët për këtë 101 vjetor të klubit.
Formacioni i mundshëm anti-Teuta:
Vllaznia: Laço, Gligorov, Adili, Malota, Marku, Gurishta, Ramadani, Hygor, Lika, Sidorenko, Junior