Pas 27 javëve kampionat, Vllaznia ndodhet vetëm 2 pikë larg Egnatias kryesuese. Klubi kuqeblu ka përfituar nga kjo situatë, për të thumbuar trajnerin e rrogozhinasve Edlir Tetova.

Në postimin pas ndeshjes së fituar me Skënderbeun(0-1), klubi shkodran ka treguar foto nga festa dhe ka bashkëngjitur teleskop në përshkrim. Kujtojmë se Edlir Tetova pas një barazimi me Partizanin, prononcohej se Egnatia e vendit të parë shihte poshtë me dylbi.

Asokohe djemtë e tij ndodheshin 10 pikë para ndjekësit më të afërt. Situata tashmë ka ndryshuar. Vllaznia duket e pandalshme në vitin 2024.

Për herë të parë në këtë sezon mund të thuhet se gara për kreun e renditjes është interesante. Të dyja skuadrat do të përplasen të paktën dhe 1 herë tjetër këtë sezon, ndërsa rrezikojnë të “peshkojnë” njëra-tjetrën në Kupën e Shqipërisë.