20 vjetori i krijimit të sportit të xhudos në Shqipëri do të festohet në Shkodër me një aktivitet shumë interesant. Ai do të zhvillohet ditën e shtunë më datë 13 prill në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Organizatorë të këtij aktiviteti janë Akademia “Albania Judo Kodokan” dhe Bashkia Shkodër. Nisja e këtij turneu do të bëhet në orën 10.00 dhe mendohet që në të të jenë pjesmarrës disa shtete. Ftesat të paktën janë nisur drejt Rumanisë, Bullgarisë, Hungarisë, Bosnjë- Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Kroacisë, Serbisë, Sllovakisë, Belgjikës dhe Italisë.
Pritet që të ketë një numër të madh sportistësh pjesmarrës që do konkurrojnë sipas moshave, duke filluar nga ato 8 vjeç deri në 13 vjeç. Si zakonisht njeriu që merret me organizimin e këtij turneu shumë të rëndësishëm për fëmijë, është Anton Shkoza, president i Akademisë “Albania Judo Kodokan”. Ndonëse ai është anashkaluar disi kohët e fundit nga Federata Shqiptare e Xhudos, përsëri mjeshtri Shkoza vazhdon të punojë me një pasion të madh për promovimin dhe përhapjen e këtij sporti gjithnjë e më tepër në vendin tonë. Fakti që të shtunën do të festohet 20 vjetori i hapjes së këtij sporti, tregon se ai tashmë e ka një traditë, e ka një historik dhe në këtë historik emri i xhudistëve shkodranë natyrisht që duan apo s’duan të tjerët, ka një vend të veçantë. Madje mund të themi se është në “krye të vendit”, për sukseset e arritura si në arenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)