Nejmar është sërish në një situatë të vështirë, ndoshta në më të vështirën e karrierës së tij futbollistike. Në fakt, nuk është hera e parë që ai gjendet në të tilla situata, por ndryshe nga herët e tjera nuk e ka fatin në dorën e tij. Është i detyruar që të marrë një vendim, i cili nuk ishte i pari në listën e dëshirave.

Tani është duke e menduar seriozisht që të veshë fanellën e bardhë të Realit të Madridit. Braziliani ua ka bërë me dije drejtuesve madrilenë se nuk do ta refuzonte një ofertë nga ta dhe Florentino Perez e ka marrë seriozisht blerjen e tij. Kur dukej se Barcelona ishte shumë pranë rikthimit të Nejmarit, Reali e ka parakaluar dhe është gati që të tronditë merkaton europiane me një lëvizje të tillë.

SHIFRAT
Pasi dështoi për të transferuar Pogbanë, Reali i Madridit është gati që të ofrojë 200 milionë euro për kartonin e sulmuesit brazilian. Perez i ka premtuar Al Khelaifit që do ta paguajë këtë shumë në 5 këste dhe kjo gjë duket se i ka pëlqyer presidentit të PSG-së. Nga ana tjetër, “galaktikët” do të mbulojnë me “ar” sulmuesin Nejmar. Ai do të ketë një pagë vjetore 40 milionë euro për 5 vitet e ardhshme. Reali ia ka shtuar pagën, ndryshe nga Barcelona që kërkonte uljen e asaj që përfitonte te PSG-ja nga 36 milionë në 22. Nejmar ishte gati që ta bënte këtë lëvizje, por ja që erdhi Reali dhe i ofron dyfishin e Barcelonës.

LEONARDO
Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo, ka konfirmuar se bisedimet mes PSG-së dhe skuadrave të tjera për shitjen e Nejmarit kanë avancuar shumë, por ai nuk dëshiron të japë emra. Në Spanjë janë të sigurt se bëhet fjalë për Realin. Madrilenët duket se e fituan “El Clasicon” e parë, e cila po luhet në gusht.

“Kemi një linjë të qartë në lidhje me këtë çështje. E rëndësishme është që ta mbyllim sa më shpejt, por të shohim si do të shkojnë bisedimet. Tratativat janë në fazën e avancuar, por nuk kemi ende asnjë marrëveshje”, ka thënë Leonardo. Kjo do të thotë se Nejmar do të humbasë sfidën e javës së parë në kampionatin francez mes PSG-së dhe Nimës.

ZIDAN
Zinedin Zidan do të ishte i lumtur që në skuadrën e tij do të kishte një kampion të madh, i cili do të ishte menjëherë titullar. Ai po studion alternativat në mënyrë që skuadra e tij të funksionojë sa më mirë dhe të ketë ekuilibrat e duhur për të arritur rezultatet pozitive në kampionat dhe Champions.