Liga Profesioniste e Futbollit është bërë anëtare e Ligave Europiane, një nga organizatat më të rëndësishme të futbollit në Europë me mbi 40 anëtarë.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Ligave Europiane, që u zhvillua në Portugali pak ditë më parë. Pasi u bë anëtare me të drejta të plota, Liga ka disa përfitime të tjera në këtë organizatë, që gjithashtu është edhe një mundësi për të krijuar të ardhura shtesë, ku shoqata të tilla bashkëpunojnë me njëratjetrën dhe rrisin vlerat e tyre.

Në të ardhmen është mundësia e shitjes së të drejtës TV edhe jashtë vendit, si edhe shitjen e së drejtës së basteve.

E DREJTA TV JASHTË VENDIT – Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Profesioniste të Futbollit, Dritan Kadia, zbuloi për “fshf.org” edhe dy projektet konkrete që Liga do të aplikojë në të ardhmen.

“Praktikisht jemi duke parë mundësinë e bashkëpunimit në shitjen e së drejtës televizive jashtë vendit dhe këtë Ligat Europiane e kanë bërë me anëtarët ekzistues të saj, ku më shumë së 10 liga në një periudhë brenda dy vitesh, kanë fituar mundësinë e shitjes së të drejtës televizive jashtë vendit, gjë që ato më parë nuk kishin mundësi për ta bërë”, u shpreh Kadia.

Praktikisht do të shihet një bashkëpunim me vendet anëtare të Ligave Europiane, për të shitur të drejtën televizive për Superioren në ato vende ku numri i shqiptarëve është i lartë dhe mendohet të ketë interes për një gjë të tillë.

E DREJTA E BASTEVE

Pasi ka negociuar vetë deri tani me kompanitë e basteve, ku tek-tuk në ndonjë kompani të huaj gjen edhe ndeshje të Superiores, tani ekziston mundësia që Liga t’ia shesë këtë të drejtë dikujt tjetër për të negociuar me kompanitë e basteve.

“Gjithashtu ekziston edhe një mundësi shumë e mirë për shitjen e së drejtës së vendosjes së basteve të shpejta me anë të të cilave ligat profesioniste e kanë rritur shumë vlerën e tyre në treg, duke arritur ato gjëra që nuk mund ta bënin duke negociuar vetë me shoqëritë e basteve.

Këto janë dy nga projektet për të cilat na është premtuar që ne së shpejti do të kemi mundësinë për të aplikuar dhe për të pasur përfitime”, theksoi Kadia.

BASTET PARA LIGËS? – Nëse në disa kompani bastesh të huaja kemi parë që ndeshjet e Superiores të kuotohen, atëherë ka qenë Liga Profesioniste e Futbollit që ka negociuar për një gjë të tillë.

Por teksa hyn te faqja zyrtare e Ligës së Futbollit, sheh që është formuar në vitin 2018. Atëherë lind pyetja, përpara se Liga Profesioniste të krijohej, kush ka firmosur që klubet shqiptare të kuotoheshin në kompanitë e huaja të basteve?