Opinion nga ERVIN BAKU

E kemi bërë zakon të vëmë në kornizë fotot më të bukura dhe më të mira, të cilat përfaqësojnë kujtimet tona më mbresëlënëse. Ne, gazetarët, vendosim edhe ndonjë artikull, opinion, editorial, apo reportazh të hajrit. E pra viti që po mbyllim, për sportin nuk është për kornizë.

Pritshmëri dhe shpresë të madhe kishim tek Lojërat Olimpike “Londër 2012”. Por, sportistët shqiptarë zhgënjyen në mënyrë të shkëlqyer me rezultatet e tyre të dobëta dhe njëri prej tyre (Hysen Pulaku) me përdorimin e substancave të ndaluara. Rezultatin më të mirë në Olimpiadë e arriti Briken Calja, i cili zuri vendin e 9-të në disiplinën e vet. Në Londër, mungoi e vetmja sportiste që mund të na sillte diçka nga kryeqyteti britanik. Mungesa e Luiza Gegës në ekipin olimpik shqiptar bëri zhurmë të madhe në opinionin tonë sportiv. “Gojët e liga” flasin për një spostim të qëllimshëm të atletes, ndërkohë që varianti zyrtar është se normën ajo e ka arritur në një garë mikse të zhvilluar në Maqedoni.
Sporti në përgjithësi, dhe futbolli në veçanti, kanë atë parfumin magjik të bashkimit të njerëzve. Sot, të gjithë jemi të bashkuar më shumë se kurrë, rreth Kombëtares së De Biazit. Këtë vit kemi zhvilluar katër ndeshjet e para të kualifikueseve të Kupës së Botës “Brazil 2014”. Kemi regjistruar dy fitore dhe po kaq humbje. Shpresat i kemi të mëdha për këtë grup premtues, të udhëhequr nga kapiteni unifikues Lorik Cana. Mund të surprizojmë, mund të shkojmë shumë larg, mund të shkojmë edhe në Brazil, me kushtin e vetëm: të rrimë me këmbë në tokë.
Peshëngritësi Erkand Qerimaj na dhuroi këtë vit një ashensor të tmerrshëm emocionesh. Fillimisht, gjatë muajit prill në Turqi, ai është shpallur kampion i Europës në peshëngritje për meshkuj, në një rezultat historik për sportin shqiptar. Dy muaj më vonë, sporti shqiptar ka marrë një goditje të rëndë, pasi është pezulluar nga aktivitetet sportive. Qerimaj doli pozitiv pas një testi antidoping dhe për këtë arsye Federata Botërore e Peshëngritjes vendosi ta pezullojë atë dhe gjithashtu t’i heqë titullin kampion Europe e medaljen që mori në Turqi.
Në basketboll për meshkuj, në kualifikueset për kampionatin europian “Slloveni 2013”, Shqipëria regjistroi 8 humbje në po kaq ndeshje. Humbje të thella, me një mesatare minus 32 pikë për ndeshje. Në volejboll për meshkuj dhe femra, në kupat e Europës, ekipet shqiptare të Studentit dhe Minatorit dolën nga kompeticioni po aq shpejt sa dhe hynë.
Dhe në mbyllje, një mbyllje me turp. Pak ditë më parë, futbolli shqiptar u trondit nga një tjetër lajm i keq. Në vetëm 30 muaj, plot 97 ndeshje të kampionatit shqiptar të futbollit dyshohen si të manipuluara. Kampionati shqiptar i futbollit është kampionati më i trukuar në Europë. Ky është konkluzioni i kompanisë së besueshme “Sport Radar”, e cila ka një marrëveshje me UEFA-n dhe Federatën Gjermane të Futbollit. Konkluzioni i kësaj kompanie serioze nuk na çudit shumë. Në fakt, ne të sportit, këtë e shikojmë çdo javë në të gjitha stadiumet bosh dhe plot të Shqipërisë.
Ja pse ky vit nuk ishte për kornizë.