Opinion nga Gjergj KOLA

Viti që sapo u mbyll ka qenë nga më të vështirët për Vllazninë e gjithë këtyre viteve të fundit. Kanë qenë 365 dite në të cilat më shumë është dëgjuar fjala “mbijetesë” dhe ”problem” ndërsa më pak fjalët “sukses” dhe “fitore”.

Gjysma e parë e këtij viti sidomos ka patur problemet më të mëdha. Aq sa të gjithë menduan se Vllaznia do të binte nga Superliga për herë të parë pas 53 vitesh por falë drejtuesve të saj dhe miqve të kësaj skuadre, u arrit që të bëhej shpëtimi I kuqebluve vetëm në javën e fundit të kampionatit. Disi më ndryshe gjysma e dytë e këtij viti që po mbyllet. Ky gjashtëmujor nisi me shumë fjalë dhe projekte, nisi me firmosjen e një kontrate bashkëpunimi me një kompani- fantazëm nga Zvicra por shpejt edhe më të filluan problemet. Moszbatimi I kontratës nga ana e kësaj kompanie, bëri që Bashkia Shkodër të prishë kontratën me të.  Njëkohësisht krijoi Bordin e ri Mbikëqyrës me anëtarë të këshillit Bashkiak dhe kjo bëri që situata në kampin kuqeblu të merrte për mirë, duke arritur 5 fitore rradhazi dhe nga kjo, tashmë skuadra është shumë më e qetë në renditje. Rreziku I rënies nga Superliga thuajse është larguar përfundimisht dhe viti 2015 do të nisë I qetë për skuadrën. Megjithatë tifozët e shumtë të saj presin një Vit të Ri më ndryshe. Me një Vllazni krejt tjetër dhe shpresat janë për sezonin e ri. Mundësitë ndoshta janë ,megjithatë duhet parë se çfarë do ndodhë deri në qershor. Skuadra shkodrane duhet t’I lërë njëherë e mirë problemet që ka patur, prapa dhe të mendojë për një organizim ndryshe. Se si do të arrihet ai, me ndonjë ligj të ri që pritet të miratohet nga Qeveria, apo me ndonjë zgjidhje tjetër,kjo mbetet për t’u parë. E rëndësishme është se tifozët shkodranë janë tharë për të parë një Vllazni pretendente dhe mbase viti 2015 do ua japë këtë kënaqësi.