Vllaznia ka lënë tashmë pas, një nga vitet e saj më të errëta që nga krijimi I saj. Viti 2017 do të kujtohet gjatë nga të gjithë. Për ato 90 minuta dramatike të majit të këtij viti kur në përballjen ndaj Tiranës në stadiumin “Loro Boriçi” luhej për fatin e qëndrimit apo jo në Superligë. Të gjithë shkodranët u bënë me zemër në atë ndeshje dhe në fund gëzuar si të tërbuar.
Po për çfarë? Menduan për ditë më të mira në vazhdim por në fakt ato nuk erdhën deri më 31 dhjetor. Madje, momentet e këqija vazhduan, aq sa kuqeblutë e mbyllën këtë vit sërish në pozita aspak të mira në renditje, në vendin e parafundit, vend që normalisht I çon ata në kategorinë e parë nëse vazhdojnë ta mbajnë deri në fund të kampionatit. Një gjë që askush nuk e dëshiron. Për këto arsye, dita e sotme pritet të jetë e para e një viti ndryshe për kuqebutë. E para e një ndryshimi të madh të cilin e presin të gjithë shkodranët. Sinjalet janë dhënë për një Vllazni ndryshe. Në përbërje, në rezultate dhe mbi të gjitha në drejtim. Thuhet se muaji prill do të jetë ai I ndryshimit të mënyrës së administrimit të klubit. Shumëkush mendon se prilli do të jetë larg ngaqë deri atëherë skuadra pozitat e skuadrës mund të jenë të rënduara në renditjen e saj, gjithsesi shpresat janë të mëdha për një Vllazni ndryshe në këtë gjysëm të parë të këtij viti. Për të menduar pastaj për një gjysëm të dytë shumë më positive sepse nuk ka si të jetë sepse si sot pas 412 ditësh, ky ekip do të festojë 100 vjetorin e krijimit të tij dhe padyshim që ajo ngjarje e madhe për të, duhet ta gjejë patjetër krejt ndryshe nga sa është sot.
© shkodrasport.com