Sipas gazetës portugeze Correio da Manha, Manchester United po planifikon një ofertë marramendëse prej 228 milionë sterlinash për Benfica-n. Djajtë e Kuq janë të interesuar për portugezët Joao Neves dhe Antonio Silva, si dhe Fredrik Aursnes të Norvegjisë.
Gjigantët e Premier League duan të forcojnë mesfushën e tyre. Ata duan t’i bashkojnë Kobbie Mainoo 19-vjeçarin Joao Neves, i cili është ylli i ri i futbollit portugez. Neves thuhet se ka një klauzolë lirimi prej 120 milionë sterlinash në kontratën e tij me Benfica-n. Megjithatë, Djajtë e Kuq besojnë se mund ta bindin klubin portugez për një shumë më të ulët për të shitur talentin e jashtëzakonshëm.
Silva, nga ana tjetër, tashmë është kthyer në një mbrojtës cilësor. 20-vjeçari portugez shihet si një zëvendësues i përsosur për lojtarët si Raphael Varane dhe Jonny Evans. Silva mund të bëhet një partner afatgjatë për argjentinasin Lisandro Martinez.
Manchester United është gjithashtu i interesuar për Fredrik Aursnes. 28-vjeçari mund të luajë si mbrojtës i krahut në të dyja krahët. Ai shënoi katër gola dhe siguroi 12 asiste në 55 ndeshje në të gjitha kompeticionet për Benfica-n në sezonin 2023-2024. Aursnes ka një vlerë në merkato prej 20 milion €, sipas Transfermarkt.
Ndërsa Manchester United është i prirur të bëjë një lëvizje për treshen, çdo lëvizje pritet të ndodhë pas Euro 2024. Si Neves ashtu edhe Silva janë në skuadrën e Portugalisë për turneun që po zhvillohet në Gjermani./telesport/