Sulmuesi i Crvena Zvezda, Richmond Boakye, ka përfunduar në radarët e Chelsea, që kërkon ta marrë në merkaton e janarit, pasi ka shënuar 23 gola në 28 ndeshje zyrtare të luajtura sivjet me skuadrën serbe. “Blutë” kanë nevojë për një sulmues që t’i japin minuta pushimi Alvaro Moratës së blerë për 80 milionë euro nga Real Madrid, gjatë verës së kaluar.
Kjo pasi belgu Michy Batshuayi nuk gëzon simpatinë e trajnerit Antonio Conte.
Në takimin e kaluar, ku Chelsea fitoi 3-1 ndaj Huddersfield, Conte aktivizoi Eden Hazard si qendërsulmues, pasi vendosi të lërë pushim Morata. Në këtë kushte, prioriteti i londinezëve është blerja e një sulmuesit dhe për momentin janë të tërhequr nga Boakye. Sulmuesi i kombëtares së Ganës pëlqehet edhe nga klube të tjera në Europë duke parë paraqitjen që ka bërë sivjet. Ai ka shkëlqyer në kampionatin serb dhe në Europa League, ku Crvena Zvedza është kualifikuar për në 1/16-t e finaleve.