Barcelona vazhdon të fitojë dhe Levandovski vazhdon të shënojë. Katalanasit kanë mundur 4-1 Gironën në derbin e Katalonjës, ndërsa sulmuesi polak ka lënë shenjën e tij me 2 gola.

Ai i është përgjigjur rivalit të tij, Mbape, teksa tani numëron 25 rrjeta në La Liga, duke kryesuar listën e golashënuesve. Veterani i sulmit të Barcelonës ka folur pas takimit, duke theksuar faktin se rezultati mund të kishte qenë edhe më i thellë.

NDESHJA – “Ne kishim gjithçka nën kontroll që në pjesën e parë, por kishim nevojë për pasimin përfundimtar. Ai na mungoi. Në pjesën e dytë, ne ishim më sulmues dhe krijuam më shumë raste. Shënuam disa gola, shpërdoruam disa të tjerë dhe kjo është e rëndësishme, sepse edhe nëse nuk mund të shënojmë herët, duhet të jemi të durueshëm dhe t’i përmbahemi planit”.

GOLEADA E RADHËS – “Rëndësi ka të fitojmë, kjo është kryesorja. Nuk futemi në fushë duke menduar se sa gola do të shënojmë. Ne futemi për të fituar dhe nëse do të fitosh duhet të shënosh patjetër një gol më shumë se rivali. Nëse shënon katër gola, gjithmonë mund të thuash se kemi bërë një ndeshje shumë të mirë”.

MOSHA DHE GOLAT – “Shumë njerëz flasin për moshën time, por e di që po punoj shumë, si gjithmonë. Dua të luaj në nivelin më të lartë për disa vite të tjera. Ndihem shumë mirë fizikisht. Nuk ka asnjë ndryshim midis disa viteve më parë dhe tani për sa i përket statistikave të mia. Ne e dimë se do të duhet të luajmë në një nivel të lartë deri në fund. Nëse jemi të përqendruar siç ishim në këtë takim, ne jemi shumë të rrezikshëm”.

SEKRETI – “Për mua, gjëja më e rëndësishme është ajo që duhet të bëj kolektivisht me ekipin. Nëse shënoj një apo dy gola, e di se me ato do ta ndihmoj skuadrën. Për mua si sulmues, gjëja e rëndësishme është të kem besim. Nëse jam në zonë ose afër saj, e di që nëse topi vjen tek unë, e kam golin në kokë”.