Për të dytin vit me rradhë Federata Shqiptare e Futbollit po aplikon skemën e “Final 4” në përfundim të kampionatit të Superiores, madje edhe të femrave dhe në fakt një skemë e tillë është kundërshtuar nga shumë specialistë sepse sipas tyre është prishur gara. Po ashtu është kundërshtuar edhe nga tifozët, interesi i të cilëve për kampionatin është gjithnjë e më i vogël.

Presidenti i Federatës Armand Duka është rikthyer të flasë sërish në lidhje me këtë temë duke dhënë dhe argumentat e tij pse i beson një skeme me “Final 4”. Ja si është shprehur numri 1 i futbollit shqiptar:

“Nuk besoj se keni përkrahur asnjëherë asnjë skemë. Asnjëherë nuk keni thënë shumë mirë që u bë nga një kampionat me 18 skuadra me fusha asnjanëse e me një fazë, shkuan në 16, 12 dhe 10 në ndarjen me kategori. Ju nuk keni thënë ‘OK’ edhe për reformën në kampionatin e të rinjve, që po të shohësh sot kampionati U-19 në vendin tonë ka një rivalitet dhe nivel njëlloj si ekipet e para. Ky është rezultat i reformave dhe ndryshimeve të skemave.

Kështu që nuk pres që ju të thoni sa mirë dhe nuk ju takon të thoni. Çdo gjë do një afat që të ketë maturimin, rritjen dhe të japë rezultatet e saj. Edhe kjo duhet të ketë një kohë. Por nuk besoj që ka prodhuar asgjë negative vjet dhe as sivjet. Krijon një lloj suspance për kampionatin, një lloj gare dhe aktiviteti sportiv në kryeqytet në një stadium shumë të bukur. Një finalizim të garës dhe i jep shance më shumë katër skuadrave për të dalë kampion. Diskutimet janë të ndryshme, por edhe kampionatin Botëror e humb për një penallti. Kryesorja është që t’i japim më shumë vëmendje futbollit.

Rivaliteti me 4 skuadra që në fund do të ndajnë titullin rrit më shumë rivalitetin, më shumë interesin, më shumë njerëz që vijnë rreth futbollit dhe në fund të fundit krijon më shumë njerëz që do të afrohen dhe nesër. Ky është dhe promovimi që mund t’i bësh lojës. Sigurisht që mund të sjellë edhe disa të ardhura më shumë, por këto të ardhura nuk janë jetike për klubet. E rëndësishme është që të krijojmë një interes më të madh për lojën. Gara ndahet edhe për një penallti, edhe për një minutë.

Ka pasur gara në kampionatin shqiptar që janë ndarë me golavarazh. Kështu është futbolli, nuk shoh asnjë gjë të keqe. Do të jenë klubet kryesisht që do të marrin vendimin nëse do të duhet të vazhdojnë kështu apo jo. Asgjë nuk bëhet nga mendimi i një njeriu në tavolinë. Janë marrë ekspertët më të mirë të Europës dhe kemi marrë të gjithë statistikat e kampionatit shqiptar në 20 vitet e fundit dhe kanë shkuar në këtë lloj konkluzioni. Ideale nuk ka kurrë, çdo lloj skeme ka opinione të ndryshme. Kjo është një gjë e re. Gjithmonë gjërat e reja janë më interesante në futboll. Sa më tepër gjëra të reja, aq më bukur. Këtu te loja jonë nuk ka mendime të njëjta asnjëherë. Ne rritemi nga mendimet ndryshe.

Padyshim që ka diferenca mes ekipeve, pasi ka klube me kontingjente, kualitet, gjendje dhe formë më të mira, por diferencat nuk janë shumë të mëdha. Jemi dëshmitarë të javës së fundit të Kupës, ku Skënderbeu fitoi ndaj Dinamo City-t që është në vendet e para. Kemi parë dhe rezultate të tjera të tilla, si brenda dhe jashtë. Ka surpriza, nuk dihet. Një kampionat me dhjetë skuadra nuk është i parashikueshëm. Jemi kampionati që ka më pak diferenca mes vendit të parë dhe të fundit në Europë.

Jemi kampionati që ka më shumë emocion deri ditën e fundit për të ndarë titullin. Besoj që drejt kësaj tradite do të shkojë përsëri. Nuk është çudi që vendet e fundit si Skënderbeu, Teuta, Tirana, Laçi të fitojnë çdo lloj ndeshjeje edhe kundër Partizanit, Egnatias, Vllaznisë, Dinamos. Mund të sjellë më shumë afrim, edhe mund të mos ndodhë. Futbolli nuk është i parashikueshëm, prandaj është i bukur”.