Ekipi i Vllaznisë për të rritura është shpallur kampion i Shqipërisë në gjimnastikë. Ky ka qenë verdikti i dalë nga garat e kampionatit kombëtar që u zhvillua në Shkodër. Në mes të një rivaliteti të madh në mes ekipeve pjesmarrëse, vajzat e ekipit shkodran të drejtuara nga trajneri Vladimir Limaj kanë arritur të triumfojnë dhe t’i japin një tjetër trofe klubit Vllaznia. Përpos kësaj, sportistja e Vllaznisë Oneda Reçi ka marrë edhe kupën e sportistes më të mirë të kampionatit. Vajzat shkodrane kanë lënë në vend të dytë dhe të tretë ekipet e Partizanit dhe Skenderbeut.

Ndërkohë, në konkurimin e meshkujve të rritur, më i miri ishte Tomorri i Beratit dhe menjëherë pas tij, në vend të dytë dhe të tretë, Partizani dhe Tomorri Olimpik. Konkurimi ekipor për kategorinë e të rinjve renditi në vend të parë Tomorrin, në të dytin Partizani dhe në të tretin Tomorrin Olimpik. Për të reja, vendin e parë si e ekip e fitoi Partizani, të dytin Skenderbeu dhe të tretin Vllaznia. Në konkurimin ekipor të kategorisë së Dancit vendi i parë i ka takuar ekipit të Beslidhjes së Lezhes, ndërkohë që në vend të dytë dhe të tretë janë renditur Lushnja dhe Kastrioti. Krahas konkurimit ekipor interes të veçantë kanë paraqitur edhe ato individuale, ku për të rrituara kanë dominuar tërësisht gjimnastet e Vllaznisë, të cilat zunë tre vendet e para, përkatësisht Oneda Reçi, Aurela Hoxha dhe Anxhela Stojna. Ndërsa për të reja në klasifikimin individual më e mira ishte gjimnastja korçare e Skenderbeut, Françeska Kodra e ndjekur nga dy gjimnastet e Partizanit, Orkaida Gjoka dhe Era Stera. Krahas kupave për konkurimin ekipor dhe individual, gjyqtaria kryesore në bashkëpunim edhe me specialistët e gjimnastikes ka votuar edhe për dy sportistët më të mirë të krejt aktivitetit, ku kupat përkatëse i kanë takuar, Izabela Panaritit të Skenderbeut në displinen e Aerobisë Sportive dhe Oneda Reçit në Gjimnastiken Sportive. Në këtë mënyrë, viti 2017 mbyllet me një tjetër sukses për ekipet sportive të Shkodrës teksa Vllaznia tashmë është kampione edhe në gjimnastikë.

 

© shkodrasport.com