Emilio Butragueño, drejtor i marrëdhënieve institucionale te Real Madridi, ofroi përshtypjet e tij për shortin që u hodh sot në Nyon të Zvicrës, ku të tijtë mësuan kundërshtarin në 1/8 finale të këtij kompeticioni, i cili është PSG: “Ky ballafaqim mund të jetë, mund të kishte qenë finalja e Champions-it për potencialin e të dyja ekipeve.

Sidoqoftë, ky është shorti, fati, gjithashtu, luan rolin e vet në kësi rastesh.

Ne duhet ta kalojmë me sukses raundin e radhës në Champions, por besojmë se është pak herët kjo përplasje, sepse të dy jemi kandidatë për titullin. Rritja e PSG-së? Çdo verë ka afruar lojtarë të nivelit të madh dhe sa i fortë është e ka treguar në fazën e grupeve, ku u paraqit thuajse në mënyrë të përsosur.

PSG-ja ka potencial të madh në përbërje, me Neymar dhe Mbappé, që kanë fituar shumë. Do të luhen dy ndeshje finale. Për publikun do të jetë një duel emocionues. Mbappé dhe Neymar në “Bernabeu”? Ata janë dy lojtarë, që po kontribuojnë shumë te skuadra e tyre. Mbappé është shumë i ri, ndërsa Neymar është një lojtar shumë i shenjtëruar, ndaj do të jetë e rrezikshme ndaj tyre. Natyrisht, ne duhet të luajmë në nivelin tonë. Mos harroni se jemi ekipi që e ka fituar Ligën e Kampionëve dy herë rresht dhe e di se duhen përgatitur e përballur ky lloj kompeticioni. Shpresojmë të rikuperojmë në kohë lojtarët e dëmtuar”.