Këtë fundjavë, kanë nisur kampionatet e Kategorisë së Parë për grupmoshat e ndryshme. Tashmë, siç dihet, me strukturën e re të FSHF, Akademia Shkodra merr pjesë në këto kampionate me pesë ekipe, duke nisur nga grupmosha U-13, U-14, U-15, U-17 dhe U-19.

Këto skuadra kanë zhvilluar edhe ndeshjet e para të tyre sipas grupmoshave, ku padyshim që dominojnë rezultatet pozitive. Kështu, ekipi U-13, që drejtohet nga trajneri Rudi Piraniqi, është ndeshur me Lushnjën dhe ka barazuar me rezultatin 1-1. Goli për ekipin e Shkodrës është shënuar nga Ndou.

Ndërkohë, U-14 e Shkodrës, e drejtuar po nga Rudi Piraniqi, është ndeshur me Besën dhe ka fituar me rezultatin e thellë 5-2. Golat për ekipin shkodran janë shënuar nga Vajushi me dopietë, Prendi, Marku dhe Halili me penallti.

Në grupmoshën U-15, Shkodra është ndeshur po me Besën dhe ka fituar me rezultatin 3-1. Autorë të golave kanë qenë Pishtari me një dopietë dhe Bajraktari.

Poashtu, fitore ka arritur edhe ekipi i U-17, që drejtohet nga trajneri Semir Gokaj, me rezultatin 2-3 në transfertë ndaj Lushnjës. Autorë të golave kanë qenë Ymeraj dhe Prendi, me këtë të fundit që ka realizuar dopietë në këtë ndeshje.

Ndërkohë, ekipi U-19, që drejtohet nga trajneri Ersi Çaku, është ndeshur po me Lushnjën në transfertë dhe ka barazuar me rezultatin 1-1. Në këtë ndeshje, ekipi i Shkodrës ka dominuar pothuajse gjithë takimin, por përpjekjet e tyre në disa raste i ndali edhe traversa e portës. Golin e vetëm për Shkodra U-19 e ka shënuar futbollisti Gjelaj.

Këto ishin ndeshjet e para të kampionatit të Kategorisë së Parë për ekipet e grupmoshave të Akademisë Shkodra.
Maringlen ZHIVANI