Nga Endri ÇINARI
Në javën e 31-të të Superiores, Vllaznia do presë Laçin në shtëpi. Duel që do luhet ditën e shtunë në orën 18:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Një ndeshje që ndër sezone ka prodhuar përballje me të vërtetë interesante. Me laçianët që kanë qenë një faktor kyç i kampionatit shqiptar në dekadën e fundit.
E sot ndoshta kurbinasit nuk luftojnë për zonat europiane siç kanë bërë në të shkuarën, por për mbijetesë në Superligë. Por pavarësisht kësaj, ekipi i drejtuar nga Armando Cungu meriton respektin dhe vlerësimin maksimal në ndeshjen e fundjavës. Këtë e vërtetoi edhe fitorja e fundit në Durrës kundër Teutës në shifrat 0-1. Sukses që tregoi se bardhezinjtë kanë kualitet në skuadër.
Dhe që në Shkodër do vijnë të tentojnë të marrin pikë, për tu larguar sa më shumë nga zona e ftohtë e renditjes. Megjithatë statistikat tregojnë se një fitore e kurbinasve në Shkodër mungon prej 3 vitesh. Për herë të fundit bardhezinjtë kanë fituar në “Loro Boriçi” me rezultatin 1-2, në datën 05.02.2021, ku golin e Imerit për Vllazninë e bënin të pavlefshëm Nuwabueze dhe Harmon për laçianët.
Që nga ajo periudhë në ndeshjet e zhvilluara mes kampionatit dhe kupës, Vllaznia ka marrë 4 fitore dhe 3 barazime në duelet shtëpiake ndaj Laçit. Këto statistika patjetër kuqeblutë do kërkojnë ti pasurojnë ditën e shtunë. Ku me përkrahjen e tifozerisë shkodrane do kërkojnë të kalojnë “ngërçin” që po kalon momentalisht skudara e Qatip Osmanit./www.shkodrasport.com/