Më në fund, trajneri Gennaro Gattuso merr frymë! Një gol i shënuar në mënyrë rokamboleske nga qendërmbrojtësi Leonardo Bonucci i ka dhënë AC Milan fitoren e ngushtë, 1-0 në “San Siro”, ndaj Crotone. Në minutën e dhjetë të pjesës së dytë, kapiteni u gjet në vendin e duhur në momentin e duhur, gjatë një goditje nga këndi, dhe tundi rrjetën me një goditje me kokë, i ndihmuar nga dalja e gabuar e portierit mik Cordaz.

Milan shënoi edhe golin e dytë me anë të Kessie, por u anulua nga VAR (moviola në fushë) për një faull të mesfushorit ndaj futbollistit të kombëtares shqiptare Arlind Ajeti.

Milan ngjitet në kuotën e 28 pikë, aq sa Torino, që fitoi në mesditë, 3-0 ndaj Bologna, Udinese, që barazoi 1-1 në Veronë ndaj Chievo ditën e premte dhe aq sa Fiorentina, që barazoi 1-1 përballë Inter. Këto katër skuadra ndajnë vendin e shtatë me dy pikë më pak se Sampdoria e vendit të gjashtë, që u mposht 3-2 në fushën e Benevento të vendit të fundit. Ndërkohë, Napoli shënoi dy herë në pjesën e dytë dhe fitoi 2-0 ndaj Verona në “San Paolo”. Kalidou Koulibaly dhe Jose Callejon shënuan për ekipin e drejtuar nga Maurizio Sarri, që kryeson me katër pikë më shumë se Juventus, që ka luajtur një ndeshje më pak, atë që do të zhvillojë në mbrëmje kundër Cagliari. Në ndeshjet e tjera të luajtura në Serie A, Lazio fitoi 5-2 në fushën e Spal, me katër gola të shënuar nga Ciro Immobile, golashënuesi më i mirë i kampionatit italian, me 20 gola, dy më shumë se Mauro Icardi. Genoa fitoi 1-0 ndaj Sassuolo. Pasdite, Roma pret Atalantën./telesport/