Katër boksierë të kombëtares shqiptare të boksit janë nisur pasditen e djeshme drejt Bullgarisë për të marrë pjesë në Turneun e rëndësishëm Ndërkombëtar që zhvillohet në Sofje në datat 20-23 shkurt. Boksierët që do përfaqësojnë vendin tonë në këtë aktivitet të rëndësishëm janë Rexhildo Zeneli që do konkurrojë në peshën 56 kg, Kristian Shytani në peshën 64 kg, Asmer Bilali në peshën 69 kg dhe Bekim Vjerdha në peshën 81 kg. Bashkë me ta do jenë edhe dy trajnerët e ekipit tonë kombëtar Zef Gjoni dhe Jozef Sermi. Delegacioni unë është nisur dje dhe pasditen e mbrëmshme e ka kaluar në Ferizaj të Kosovës ndërkohë që do mbërrijë në Sofje mesditën e sotme për t’u bërë gati për ndeshjet e ditës së parë që do të startojnë nesër. Ai që ka folur për gazetën “Shkodra Sport” para nisjes për në Bullgari ka qenë trajneri I ekipit tonë kombëtar Zef Gjoni që është shprehur: “Turneu ku ne do të marrim pjesë është shumë I fortë. Në të marrin pjesë boksierë nga shumë vende të botës dhe nëse arrijmë të marrim medalje në të, do të ishte një sukses shumë I madh për sportistët tanë. Do përfaqësohemi me katër boksierë e pikërisht Zenelin e Flamurtarit dhe tre të Vllaznisë, Shytanin, Bilalin e Vjerdhën. Dëshira në fakt ishte për të marrë pjesë me më shumë sportistë por pjesmarrja e madhe nga shumë vende të botës, e limitonte numrin e tyre. Megjithatë do tentojmë deri në fund për të marrë një medalje”. Natyrisht që nuk do jetë e lehtë për të triumfuar në ringun e Sofjes në “Stranja Tournament” megjithatë sipas trajnerit të kombëtares sonë, ky turne do të shërbejë edhe si parapërgatitje e boksierëve tanë për Memorialin Ndërkombëtar që do të zhvillohet në fillim të muajit prill në Shkodër. “Siç është bërë e ditur, edhe Memoriali I përvitshëm që zhvillojmë në Shkodër, sivjet do ketë përmasa edhe më të mëdha. Kjo edhe falë mbështetjes financiare që na ka premtuar ministri Bumçi, ashtu siç ndihmon çdo vit edhe Bashkia Shkodër. Për rrjedhojë,  ndonëse jemi një muaj e gjysëm përpara fillimit të tij, mund të them se që tani kanë konfirmuar pjesmarrjen e tyre ekipet e Australisë dhe Rusisë. Pa harruar pastaj aktivitetet e tjera që është Kampionati Europian në maj dhe për të vazhduar me Lojërat Mesdhetare në qershor ku aty dhe kemi objektivat madhore për të marrë medalje”- ka thënë trajneri Gjoni. Viti 2013 në këtë mënyrë do jetë I ngjeshur për boksierët e kombëtares shqiptare të boksit. Turne të njëpasnjëshëm, Kampionati Europian e ai Botëror, Lojërat Mesdhetare etj. Sportistët tanë po fitojnë përvojë çdo ditë e më tepër dhe pikërisht pjesmarrja në të tillë turne si ky I Bullgarisë, bëhen me qëllim për rritjen e përvojës së boksierëve tanë në mënyrë që ata të arrijnë më në fund aty ku duhet, në nivele të larta.  Zeneli, Shytani, Bilali e Vjerdha do kenë mundësinë që në ringun e Sofjes të tregojnë vlerat e tyre më të mira në aspektin individual por edhe për të përfaqësuar denjësisht edhe flamurin shqiptar sepse është një mundësi e mirë për t’u përfaqësuar denjësisht në mes ekipeve nga e gjithë bota.
Gjergj KOLA