Nga Endri ÇINARI

Po kryeson kampionatin me golat e tij dhe duket i pakapshëm për fitimin e “Këpucës së Artë”. Fjala është për Bekim Balajn, i cili në kuotën e 17 golave tashmë duket i sigurtë drejt shpalljes si golashënuesi më i mirë i sezonit. Shtatlarti ka marrë për dore fatet e Vllaznisë në këtë edicion të Superiores.

Me golat e tij 33-vjeçari ka udhëhequr suksesshëm kuqeblutë drejt vendit të dytë dhe gjysmëfinales së kupës deri më tani. Tek shkodranët patjetër që duan që ish-sulmuesi i Rijekas të vijojë në këtë formë edhe në këtë epilog sezoni. Ku gazi duhet shkelur deri në fund për të shpresuar tek suksesi përfundimtar në javën e fundit të kampionatit.

Duke nisur nga ndeshja e së dielës, ku Vllazninë e pret një super ndeshje përballë Partizanit. Dueli direkt që mund të vendosë shumë për vendin e dytë në fund. Dhe statistikat e Balajt kundër Partizanit që nga kthimi tek Vllaznia në janarin e shkuar janë me të vërtetë të pasura.

Kështu nga janari i kaluar janë luajtur 6 ndeshje mes të kuqve dhe shkodranëve. Duke llogaritur këtu 5 ndeshje në Superiore dhe 1 në kupën e Shqipërisë. Balaj ka arritur të gjejë golin në 4 ndeshje ndaj kryeqytetasve, duke i shndërruar kështu në “gjahun” e perferuar. Kështu si tek Vllaznia ashtu edhe tifozët shpresojnë që golashënuesi më i mirë i kampionatit ta vijojë traditën edhe të dielën ndaj kampionëve në fuqi të vendit./www.shkodrasport.com/