Nga Gjergj KOLA
Laçi me fitoren e djeshme 3-0 ndaj Teutës është ngjitur në kuotën e 30 pikëve dhe tashmë është i pozicionuar në vendin e gjashtë të renditjes duke qenë për momentin në një pozitë disi komode në krahasim me atë të para pak javëve.
Dhe një meritë jashtëzakonisht të madhe në këtë seri rezultatesh pozitive të javëve të fundit padyshim që ka luajtur edhe portieri Marco Molla. Ai po tregon sërish talentin e tij, atë talent që bëri drejtuesit e klubit të Bolonjës të firmosnin një kontratë profesioniste me të kur ishte vetëm 19 vjeç.
Shkodrani e mbajti të paprekur portën e tij edhe në ndeshjen e fundit ndaj Teutës kur të paktën në dy momente ishte protagonist me pritjet e tij të shkëlqyera pas goditjeve të Krujës dhe Beshirajt dhe në këtë mënyrë nuk pësoi sërish gol.
Kjo ishte ndeshja e katërt rradhazi që ndodhi kështu sepse Molla nuk ka pësuar gol edhe ne dy sfidat e tjera të kampionatit me Partizanin dhe Skënderbeun si dhe atë të Kupës po me Partizanin. Që do të se ai nuk pëson gol prej 360 minutash dhe ky është një tregues shumë pozitiv, çka tregon se ky portier dhe Laçi janë në rrugë të mbarë për arritjen e objektiva të tyre.
Në këtë mënyrë, 22 vjeçari shkodran po kërkon të rikthehet edhe njëherë në skenë duke treguar vlerat e tij dhe sigurisht që do të vazhdojë të rritet edhe më shumë nga ana profesionale sepse shkëputja që ka patur kohët e fundit ka bërë të vetën, por gjërat po marrin rrugën e duhur dhe të jeni të bindur se shumë shpejt Marco Molla do të jetë edhe pjesë e kombëtares shqiptare siç ka qenë tre vjet më parë.(www.shkodrasport.com)