Barazimi i djeshëm ndaj Korabit sigurisht që ka lënë të pakënaqur drejtuesit dhe tifozët e Vllaznisë sepse në fakt ata prisnin një skuadër ndryshe në fushën e lojës. Kuqeblutë kanë zhvilluar një ndeshje përgjithësisht të dobët dhe ndoshta tek futbollistët u vërejtën shenja vetëkënaqësie. Por pas atij barazimi, nëse ka ndonjë gjë me të cilën duhet të kënaqen shkodranët, është fakti se Vllaznia sërish nuk pësoi gol.

Për të katërtën javë rradhazi, ose thënë ndryshe, 360 minuta pa pësuar gol. Diçka e veçantë për këtë skuadër e cila gjithnjë është shquar për lojë të hapët, si pasojë e së cilës vërtetë ka shënuar shumë gola, por edhe ka pësuar shumë. Me Cungu është disi më ndryshe. Prioritet për të duket se ka mospësimi i golit dhe deri më tani skuadra ia ka dalë në mënyrë perfekte, falë lojës së mirë të portierit Agoviç, të dyshes së qendrës të mbrojtjes Bicaj e Cicmil por edhe lojtarëve të tjerë të këtij reparti, apo dhe të tjerëve që kanë ndihmuar në këtë drejtim. Pyetja që lind natyrshëm është ajo se kur për herë të fundit Vllaznia nuk pësonte gol në katër ndeshjet e para të kampionatit. Dhe në fakt, duhej shfletuar gjatë në statistikat e kampionateve.

Hera e fundit që kjo skuadër nuk ndëshkohej në 360 minutat e para të kampionatit, ka qenë viti 1973. Koha kur Vllaznia niste një kampionat të mirë (në fund të tij do të shpallej kampion i vendit) dhe skuadra funksiononte në mënyrën më të mirë të mundshme. Atëherë madje, kishte 4 fitore në 4 ndeshjet e para të kampionatit. Ishte koha kur në portë luanin Isa Sukaj dhe Ahmet Meta ndërsa në mbrojtje ishin Hajrullah Lekaj, Menduh Dedja, Zyhdi Basha e Suad Durraj. Ishte koha kur pjesë e skuadrës ishin edhe të mëdhenjtë Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Medin Zhega por edhe Çesk Ndoja, Halil Puka, e Ismet Hoxha. “Arkitekti” i asaj skuadre ishte Xhevdet Shaqiri. Sot është tjetër Vllazni. Me tjetër “arkitekt”, Armando Cungun. Me një malazez në portë- Agoviç, me dy qendra të mbrojtjes shtatëlarte si Cicmil e Bicaj, me të tjerë si Gocaj, Marku, Gurishta etj të cilët e kanë bërë mjaft mirë punën e tyre deri tani. Kuptohet bashkë me pjesën tjetër të skuadrës në manovrën difensive. Nuk është pak ta ruash portën e paprekur në 4 ndeshje me rradhë. Jo më kot, hera e fundit që ndodhte kështu, është para plot 43 vitesh. Madje, statistika aktuale merr edhe më shumë rëndësi sepse në historinë e 78 kampionateve që janë zhvilluar deri tani në vendin tonë, ka ndodhur edhe vetëm në dy raste të tjera kjo gjë. Në vitin 1969 dhe në vitin 1945. Në këtë të fundit, siç dihet Vllaznia ka dalë kampione, ndërsa në vitin 1969 ka zënë vendin e tretë. A mund të ketë ngjashmëri me situatën aktuale? Shkodranët nuk besojnë shumë se 4 ndeshjet aktuale pa humbje mund t’i dhurojnë sërish një skuadër për titull. Ato do të kënaqeshin nëse do të përsëritej sërish historia e vitit 1969, me vendin e tretë.
Gjergj KOLA

Vllaznia 2016-17

  1. Java 1 Vllaznia- Kukësi 0-0
  2. Java 2 Partizani- Vllaznia 0-0
  3. Java 3 Vllaznia- Flamurtari 2-0
  4. Java 4 Korabi- Vllaznia    0-0

Bilanci: 4 ndeshje, golaverazhi 2 gola të shënuar, 0 të pësuar.

Vllaznia 1973-74

  1. Java 1 Vllaznia- Partizani 1-0
  2. Java 2 Shkëndia- Vllaznia  0-1
  3. Java 3 Vllaznia- Skënderbeu 2-0
  4. Java 4 Vllaznia- 17 Nëntori 1-0

Bilanci: 4 ndeshje, golaverazhi: 5 gola të shënuar, 0 të pësuar

Vllaznia 1969-70

  1. Java 1 Vllaznia- Luftëtari 4-0
  2. Java 2 Naftëtari- Vllaznia 0-0
  3. Java 3 Vllaznia- Lokomotiva 2-0
  4. Java 4 Besa- Vllaznia 0-1

Bilanci: 4 ndeshje, Golaverazhi: 7 gola të shënuar, 0 të pësuar

Vllaznia 1945

  1. Java 1 Tomori- Vllaznia 0-9
  2. Java 2 Vllaznia- Besa  1-0
  3. Java 3 I.Qemali- Vllaznia 0-7
  4. Java 4 Vllaznia- Liria 2-0

Bilanci: 4 ndeshje, 19 gola të shënuar, 0 të pësuar