Nga Endri ÇINARI
Vllaznia do presë në Shkodër ditën e shtunë ekipin e Teutës. Duel që do luhet në kuadër të javës së 14-të të Superiores, në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Të dy skuadrat po kalojnë një moment pozitv dhe duan ta vijojnë formën e mirë. Por statistikat e viteve të fundit në duelet e zhvilluara në Shkodër flasin dukshëm në favor të Vllaznisë.
Teuta nuk fiton në “Loro Boriçi” prej më shumë se 4 vitesh. Durrsakët kanë arritur të triumfojnë në Shkodër në datën 28.06.2020, në javën e 31-të të sezonit 2019-20. “Djemtë e detit” në atë duel triumfonin në shifrat 0-3, ku vendimtarë me rrjetat e tyre ishin: Kallaku, Vila dhe Aleksi. Por që nga ajo ndeshje thuajse gjithçka ka folur kuqeblu për ndeshjet e zhvilluara në Shkodër.
Kjo pasi Vllaznia gjatë këtyre 4 viteve ka triumfuar 6 herë në shtëpinë e saj ndaj Teutës. E ndërsa 2 duele janë ndarë në barazim mes dy skuadrave. Duke treguar kështu dominimin total të 9 herë kampionëve të Shqipërisë ndaj bregdetarëve. Pavarësisht se statistikat flasin për Vllazninë, tek kuqeblutë nuk ka aspak vend për nënvlerësim.
Teuta dhe Edi Martini kanë treguar shpesh se janë një ekip i vështirë për tu mundur. Dhe ndeshjet ndaj tyre janë gjithmonë të forta për çdo kundërshtar. Prandaj edhe Vllaznia do marrë masat për të vijuar me rezultatet pozitive në shtëpi. Ku këtë sezon “Loro Boriçi” ka rezultuar një “fortesë” për shkodranët, të cilët nuk njohin humbje shtëpiake ende për sezonin 2024-25./www.shkodrasport.com/