Thonë se jeta fillon në moshën 40-vjeçare, ditëlindje të cilën e ka festuar ditën e djeshme. Cristiano Ronaldo është rrugës për ta mësuar nëse kjo është e vërtetë, derisa po vazhdon vendosjen e rekordeve. Po shënon gola me mesatare të jashtëzakonshme, shkruan “BBC” të mërkurën. 

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” realizoi dy herë të hënën për klubin arab, Al-Nassr. Tani i ka 923 gola në karrierë dhe ende është i rregullt te Portugalia. 

Por cilët janë lojtarët e tjerë që kanë pasur paraqitje të mira edhe pasi kaluan të 40-tat?

Francesco Totti

Lojtari i një klubi, Totti, debutoi te Roma si 16-vjeçar në vitin 1993 dhe asnjëherë nuk u largua nga “giallorossët”. Mesfushori legjendar vendosi rekordin e klubit me 786 paraqitje në të gjitha garat. Shënoi 307 gola – një tjetër rekord. Ai u bë kapiten i Romës si 22-vjeçar – kapiteni më i ri në histori të Serie A. E ndihmoi ekipin ta fitonte titullin në edicionin 2000/2001. Ndeshjen e fundit e luajti më 28 maj 2017, tetë muaj pasi mbushi 40 vjet.

Teddy Sheringham

Ish-sulmuesi i Anglisë, Teddy Sheringham, ishte 42-vjeçar kur i vari këpucët në gozhdë në fund të edicionit 2007/2008, sa ishte pjesë e Colchester United. Impresionoi si tinejxher te Milwalli. U zbulua në vitin 1991 nga trajneri i Nottingham Forestit, Brian Clough, ndërsa Tottenhamit iu bashkua në gusht të vitit 1992. Ishte golashënuesi më i mirë i Premier Leagues në edicionin inaugurues. I fitoi tre tituj me Manchester Unitedin dhe e shënoi golin e barazimit për “djajtë e kuq”, në triumfin që do të mbahet mend, në Ligën e Kampionëve në vitin 1999. Vazhdon të jetë golashënuesi më i vjetër në histori të Premier Leagues, pasi shënoi me West Hamin kundër Portsmouthit me 40 vjet e 268 ditë.

Romario

Vlerësohet si njëri prej golashënuesve më të mirë në histori. Romario doli në pah pas Lojërave Olimpike 1988, ku u shpall golashënuesi më i mirë. Luajti te PSV Eindhoveni dhe Barcelona dhe i shënoi 167 gola pasi u largua nga Vasco da Gama në vitin 1988. Te Flamengo në Brazil u kthye në vitin 1995. Pati 55 gola në 70 paraqitje për Brazilin. E fitoi çmimin “Lojtari më i mirë në botë” nga FIFA në vitin 1994, pasi shënoi pesë gola në kampanjën triumfuese të Brazilit në Botëror. Ndeshjen e fundit e luajti si 43-vjeçar në nëntor të vitit 2009. Vitin e kaluar u kthye nga pensionimi dhe luajti pak me djalin e tij, Romarinhon.

Javier Zanetti

Ish-futbollisti i Argjentinës, Javier Zanetti, i kaloi 19 vjet tek Interi, ku u transferua nga Banfield në vitin 1995. Zanetti mban rekordin me 862 paraqitje për “nerazzurrët”. U pensionua në fund të edicionit 2013/2014, tre muaj pas ditëlindjes së 41-të. I fitoi pesë tituj në Serie A dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2010, në tripletën historike nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho. Është edhe lojtari me më së shumti paraqitje te Argjentina, 145 gjithsej, ndërsa u pensionua në vitin 2011.

Gianluigi Buffon

Mban rekordin si portieri me më së shumti paraqitje në të gjitha kohët dhe më së shumti paraqitje në Serie A. U pensionua nga futbolli si 45-vjeçar, në gusht të vitit 2023. Për 28 vjet karrierë, fitoi 10 tituj me Juventusin, si dhe Kupën e Botës 2006 me Italinë.
Buffoni fitoi edhe titullin në Ligue 1 me Paris Saint-Germainin në edicionin 2018/2019. E përfundoi karrierën aty ku e nisi, te Parma, me të cilën pati 19 paraqitje në edicionin final. I hoqi dorezat në edicionin 2022/2023.

Zlatan Ibrahimoviç

Sulmuesi legjendar i Suedisë, Zlatan Ibrahimoviç, i shënoi 511 gola për klube të mëdha evropiane, përfshirë PSG-në, Manchester Unitedin, dy klubet e Milanit e Juventusin. I fitoi 34 trofe, prej tyre 14 tituj kampioni. Ishte i nominuar për “Topin e Artë” plot 11 herë. Megjithatë, nuk e fitoi asnjëherë Ligën e Kampionëve. Trofeu i vetëm evropian ishte ai i Ligës së Evropës me Manchester Unitedin në vitin 2017. Është golashënuesi më i mirë i Suedisë me 62 gola në 122 paraqitje. U pensionua nga futbolli sa ishte te Milani, në moshën 41-vjeçare.

Ryan Giggs

Lojtari më i dekoruar në historinë e futbollit anglez, ish-sulmuesi i krahut te Manchester Unitedi dhe Uellsi, me 13 tituj te ligës, katër trofe të Kupës FA dhe dy Liga të Kampionëve – në mesin e 34 trofeve. Mban rekordin te “djajtë e kuq” me 963 paraqitje. 64 ndeshje i luajti për Uellsin. Giggsi për herë të fundit me Man. Unitedin luajti në fitoren 3:1 ndaj Hullit në maj të vitit 2016, në moshën 40-vjeçare.

Paolo Maldini

Vlerësohet si njëri prej mbrojtësve më të mirë të të gjitha kohëve. Paolo Maldini e kaloi gjithë karrierën te Milani, dhe luajti 902 ndeshje për këtë klub. Shtatë herë e fitoi Serie A, pesë herë Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Italisë një herë, në 25 vjet karrierë. 126 ndeshje i luajti për Italinë. Pas triumfit në Botërorin 2006 me Italinë, u pensionua nga “azzurrët”. Në nivel klubesh, ai e mbylli karrierën si 41-vjeçar në vitin 2009. Milani e tërhoqi numrin 3 pas largimit të tij.

Kazuyoshi Miura

Harrojeni Ronaldon, Buffonin, Maldinin e të tjerët. Miura pas tri javësh do të jetë 58-vjeçar. Ai luan në kategorinë e katërt të futbollit japonez, tek Atletico Suzuka. 
Miura e nisi karrierën në vitin 1986 te Santosi, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Palmeiras, Genoa, Dinamo Zagreb, Vissel Kobe, Sydney dhe Oliveirense në kategorinë e dytë të futbollit portugez. I shënoi 55 gola në 89 paraqitje për Japoninë mes viteve 1990 – 2000. E fitoi Kupën e Azisë në vitin 1992, ndërsa ka 18 trofe gjithsej. Futbollisti më i mirë aziatik ishte shpallur në vitin 1992.