Nga Endri ÇINARI

Kategorira Superiore e uli siparin e sezonit të rregullt ditën e djeshme. Në elitën e futbollit tonë u përcaktua se kush do jenë 4 ekipet që do luftojnë për titullin deri në fund. Ku 4 skuadrat do jenë: Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Skënderbeu. Nga Superliga janë rrëzuar Erzeni dhe Kukësi ndërsa Laçi do jetë në “play out” me ekipin që vjen nga Kategoria e Parë.

Përsa i përket golashënuesve të sezonit, më i miri i edicionit 2023-24 është Bekim Balaj. Sulmuesi i Vllaznisë shënoi 17 gola në 35 javë, duke fituar kështu “Këpucën e Artë”. Por përveç 33-vjeçarit ka edhe futbollistët të tjerë shkodranë që kanë qenë protagonistë me golat e tyre. I tillë është edhe Ildi Gruda me 8 rrjetat e tij, sezoni më i mirë në karrierë për numrin 7-të të Vllaznisë.

Me 7 gola e ka mbyllur sezonin në Superiore edhe shkodrani i Skënderbeut, Ardit Nikaj. Që ishte një ndër protagonistët e edicionit për korçarët. Pas tij nga futbollistët shkodranë që kanë gjetur rrjetën këtë sezon vjen Sebastian Spahiu. Me mesfushorin e Egnatias që ka shënuar 4 gola. Nga 2 gola kanë shënuar këtë edicion edhe Alivoda e Çoba me Vllazninë e ndërsa po 2 gola ka shënuar edhe Gjini me Teutën.

Nga futbollistët shkodranë që kanë luajtur dhe shënuar në Superiore janë edhe: Delaj, Dodaj, Halili, Hakaj dhe Smajli me Vllazninë, nga një gol secili. Një herë ka shënuar, por me fanellë e Partizanit edhe Marcelino Preka.

Plot 48 gola shkodranësh në këtë sezon të Superiores. Duke treguar si çdo edicion cilësinë dhe protagonizmin e lojtarëve që vijnë nga qyteti ku lindi futbolli në Shqipëri.