Biznesmenët që kanë shfaqur një interes për të marrë drejtimin e Vllaznisë pas kalimit të saj në përdorim, duan që edhe administrimin e klubit ta bëjnë vetë. Nëse deri para pak ditësh kishte një dilemë se si do të zgjidhej kjo gjë, tashmë kërkesa e 5 biznesmenëve shkodranë është bërë e qartë. Agron Çela, Xhevdet Amuli, Paulin Radovani, Flamur Hoxha dhe Ylvi Mashi duan që ta administrojnë ata klubin. Në fakt, ideja paraprake ka qenë që administratori aktual Fatos Gjyrezi të mbante të njëjtin post edhe pas kalimit të klubit në përdorim të biznesmenëve. Por në fakt, kjo duket se nuk është pranuar nga këta të fundit. Në kushte të tilla, juristët e Bashkisë janë duke parë të gjithë hapësirën ligjore se si mund të bëhet kjo gjë.
Gjyrezi. Njeriu që mban aktualisht postin e administratorit të klubit, vetëm 3-4 ditë më parë u pat shprehur se ka shumë mangësi ligjore për mënyrën e kalimit të shoqërisë aksionere në dorën e biznesmenëve. Por, gjithnjë sipas tij, pavarësisht se mund të bëhej një kalim I tillë I klubit, ai do të mbeste nën administrimin e Bashkisë Shkodër, si pronarja me 100 për qind të aksioneve e klubit Vllaznia. Në kushte të tilla, donatorët do kishin të drejtën e menaxhimit të aktivitetit sportiv, pra të drejtën e përzgjedhjes së trajnerit, të lojtarëve, kontratave etj, por kuptohet që lëvizjet financiare do bëheshin të gjitha përmes numrit të llogarisë së klubit. Që do të thoshte se edhe donatorët të cilët do vijnë në krye të tij, duhet t’I kalojnë paratë e tyre në këtë numër llogarie.
Çela. Biznesmeni I njohur shkodran është njeriu që ka negociuar gjatë këtyre ditëve me drejtuesit e Bashkisë Shkodër dhe me shumë mundësi, do të jetë ai presidenti I ardhshëm. Por kërkesa e tij e parë thuhet të ketë qenë ajo e administrimit të klubit nga ana e vetë atij dhe e kolegëve të tij. Me këtë logjikë, grupi I biznesmenëve nuk do të pranojë nga Bashkia sugjerimin për të lënë në detyrë sërish administratorin aktual Fatos Gjyrezi. Për këtë arsye, po shihet mundësia që Çela& Co të kenë edhe postin e administratorit të klubit. Në kushte të tilla, duhet trajtuar me shumë kujdes edhe kjo gjë sepse sërish administratori do jetë I varur nga bordi mbikëqyrës dhe presidenti që është kryetari I Bashkisë. Në kushte të tilla, ai fare mirë në një moment të caktuar mund të marrë vendimin për të prishur kontratën apo shkarkuar nga posti I administratorit. Prandaj dhe juristët e Bashkisë apo dhe vetë donatorët në bisedimet që kanë patur kanë hedhur këtë ide, gjetjen e një termi për postin e biznesmenëve në klub dhe rolin e të drejtat e tyre. është hedhur ideja e një funksioni të tillë si “drejtor I përgjithshëm” apo president- administrator megjithatë kjo duhet parë.
Vendimi. Do të merret ditën e premte në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Para se të bëhet kjo, të mërkurën ose të enjten, do të ketë edhe një takim tjetër mes grupit të biznesmenëve dhe atyre të Bashkisë për të gjetur gjuhën e përbashkët në të gjitha pikat e draft- kontratës dhe nëse kjo arrihet, atëherë do kalojë në Komisionin e Sportit për t’u miratuar pastaj në Këshill. Parashikimet janë që mund të arrihet akordi megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe zhvillime të reja në këtë mes.
Gjergj KOLA