Kombëtarja U-21 e Shqipërisë ka shpallur dje listën e futbollistëve të grumbulluar për dy sfidat e fundit eleminatore të kampionatit europian, ndaj Anglisë dhe Kosovës, që do të luhen në muajin qershor. Trajneri Alban Bushi ka bërë publike listën me 22 futbollistë të grumbulluar, ku bie në sy ndërthurja e elementit të Superiores me atë jashtë vendit.
Poashtu, në sy bie fakti se nuk ka asnjë futbollist të grumbulluar nga Vllaznia. Gjithsesi, elementët nga Shkodra nuk mungojnë në Kombëtaren e U-21. Sergio Kalaj, Kevin Haveri, Mario Mitaj, Erdis Kraja dhe Klevis Bebeziqi janë pesë lojtarët shkodranë të grumbulluar me ekipin e Kombëtares së Shqipërisë U-21.
Kalaj është një futbollist me origjinë nga Bajza dhe që aktivizohet në Itali. Poashtu, edhe Haveri luan në Itali me ekipin e Riminit.
Mario Mitaj është djaloshi me origjinë nga Vermoshi dhe që luan tek AEK në Greqi. Shkodrani tjetër është Erdis Kraja, që luan me Leçon në Itali. Ndërkohë, Klevis Bebeziqi është një futbollist i formuar tek Akademia Vllaznia dhe tashmë është pjesë e Olimpia Ljubjana në Slloveni.
Ekipi U-21 i Kombëtares së Shqipërisë do të ndeshet ndaj Anglisë për ndeshjen e datës 7 qershor. Gjashtë ditë më pas, Kombëtarja U-21 do të luajë sfidën përmbyllëse të kualifikueseve në shtëpi, në stadiumin “Elbasan Arena”, më konkretisht më 13 qershor ndaj Kosovës, në ora 19:30.
Këto janë edhe dy ndeshjet e fundit të kësaj fushate eleminatore, ku Shqipëria është shortuar në Grupin G, së bashku me Anglinë, Republikën Çeke, Slloveninë, Andorrën dhe Kosovën. Aktualisht, ekipi i drejtuar nga Alban Bushi renditet në vendin e katërt, me 9 pikë të grumbulluara në tetë ndeshje të luajtura. /Maringlen ZHIVANI/