Kategoria e Parë është në fazën më delikate të saj, pasi tashmë çdo pikë e lënë rrugës “dhemb” shumëfish. Kanë ngelur edhe 5 javë nga fundit i kampionatit, me ekipet që do të luftojnë “dhëmbë për dhëmbë” ëpr të marrë pikët maksimale për të arritur objektivat e tyre.

Por tashmë janë mësuar edhe 2 verdiktet e para në Kategorinë e Parë. Matematikisht skuadra e Burrelit ka arritur të kualifikuohet në fazën “Play-Off” për të tentuar edhe ngjitjen në Superiore. Në lojë janë edhe 15 pikë dhe matjanët janë plot 16 pikë larg vendit të 7-të në klasifikim që mbahet nga Apolonia.

Edhe nëse skuadra e Ditmar Bicajt do të humbasë të gjitha sfidat deri në fund të kampionatit dhe Apolonia të triumfojë në të 5 ndeshjet e ardhshme, sërish Burreli e ka të siguruar një vend në “Play-Off”.

Ndërkohë nëse te matjanët festojnë se kanë arritur një nga objektivat e tyre, te Erzeni “qajnë”. Një sezon i dështuar për shijakasit, të cilët tashmë matematikisht kanë rënë një kategori më poshtë dhe sezonin e ardhshëm do të duhet të nisin gjithçka nga Kategorina e Dytë.

Kjo pasi Erzeni deri më tani ka grumbulluar vetëm, 11 pikë dhe Kukësi që ndodhet në vendin e 10-të të zonës “Play-Out” është plot 17 pikë larg, kur në lojë janë edhe 15 pikë. Tashmë mbetet të shihet se cilat do të jenë ekipet e tjera që do të arrijnë të sigurojnë “Play-Off, “Play-Out” dhe kush do të shoqërojë Erzenin në Kategorinë e Dytë.